BOTA

Aligatori 4m i gjatë kapet me trupin e pajetë njerëzor që merrte në kanal në Florida (fotot)

Një aligator gjigant është kapur dje nga autoritetet në Florida, SHBA teksa merrte me vete në kanalin ujor trupin e pajetë të një banori vendas.

Dëshmitarët panë fillimisht zvarranikun thuajse 4 metra të gjatë me viktimën të kapur mes nofullave në një rrugë rezidenciale në Largo, një komunitet i vogël në jug të Clearwater.

“Unë e pashë që kishte një trup njeriu në gojë dhe nisa ta regjistroja”, tha dëshmitari Marcus Bullard për rrjetin vendas Spectrum Bay News 9.

Bullard shtoi se më pas kishte njoftuar zjarrfikësit që ishin pranë vendit të incidentit.

Ata e kishin nxjerrë aligatorin nga uji dhe e kishin qëlluar disa herë, dëshmonte Bullard.

“Shumë nga fqinjët e mi ishin aty dhe më treguan për kafshën”, konfirmonte dhe rezidentja Jennifer Dean.

“Teksa ne po qëndronim aty dëgjuam një të shtënë, besoj se e kanë vrarë aligatorin.”

Sherifi i Pinellas tha se si viktima dhe aligatori ishin nxjerrë me tërheqje nga kanali, por nuk konfirmonte nëse kafsha ishte qëlluar.

Në vendngjarje shihej që hetuesit qëndronin pranë kafshës së përgjakur ne ane te rruges.

Zona ka një liqen në parkun e saj Ridgecrest Park, dhe nganjëherë aligatorët dalin duke ecur në lendinen përreth, por Dean thotë se ai i djeshmi ishte nga më të mëdhenjtë që kishte parë.