Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një fjalim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, i ka akuzuar vendet e perëndimit se kanë “shkelur brutalisht” Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 12 44, duke e njohur pavarësinë e Kosovës.
I menjëhershëm ishte reagimi i ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila e dënoi fuqishëm fjalimin e presidentit të Serbisë në OKB, i cili ka hedhur një paralele mes pavarësimit të Kosovës dhe zanafillës së agresonit rus në Ukrainë.
Gërvalla tha se me fjalimin e tij në OKB, presidenti i Serbisë shkeli marrëveshjen e arritur në Bruksel, më 18 mars 2023.
Gazmir Raci për Telegrafin tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po vazhdon të përdorë të njëjtën gjuhë të urrejtjes ndaj shtetit të Kosovës.
“Kjo është Serbia e vërtetë. Në vazhdimësi ajo shkel marrëveshjet e Brukseli dhe jo vetëm ato. Ajo duke qenë se është kandidat për BE para disa jave ka kërcënuar edhe Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi dhe për çudi asnjë reagim nga ndërkombëtarët. Serbia dhe presidenti i saj po vazhdojnë të përdorin të njëjtën gjuhë të urrejtjes ndaj shtetit të Kosovës edhe pse betejën e iniciuar vet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e humbën”, ka thënë Raci.