Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas shpërthimit të mbrëmshëm në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut.
Sveçla, e ka ndërlidhur hedhjen e granatës së dorës në veri të Mitrovicës në orët e mesnatës, me arrestimin e tre qytetarëve serbë të dyshuar për krime lufte.
“Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës. Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai tutje ka thënë se inspirimi, mbështetja dhe urdhëri për këtë akt kriminal “ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq”.
“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës. Kosova do të jetë shtet i së drejtës, i qytetarëve të barabartë ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë”, ka thënë Sveçla.