AKTUALE

Gërvalla: Fjalimi i Vuçiqit në OKB është shkelje e dakordimit të arritur në Bruksel

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka hedhur poshtë deklaratën e Vuçiqit, në të cilën ai akuzon vendet e Perëndimit se kanë shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara duke e njohur pavarësinë e Kosovës.

“Më atë Marrëveshje, presidenti i Serbisë është pajtuar edhe që Serbia të mos flasë në emër të Republikës së Kosovës në forumet ndërkombëtare, dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Në harmoni me atë marrëveshje, të cilën BE dhe SHBA dëshmojnë se presidenti i Serbisë e ka pranuar dhe do ta zbatojë në tërësinë e saj, ai sot, në paraqitjen e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është dashur të bëjë thirrje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, apo, së paku, të mos flasë fare për Republikën e Kosovës”, ka vlerësuar Gërvalla.

Në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Vuçiq ka shprehur kritika edhe ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për takimin që ai ka zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Këtu, në këtë sallë, vetëm dy ditë më parë, e dëgjuam presidentin e Shteteve të Bashkuara, duke folur për parimin më të rëndësishëm në marrëdhënie mes vendeve, për respektin e integritetit të tyre territorial dhe sovranitetin… i vetmi telash në këtë ishte se vetëm pak orë pas fjalimit të tij, ai e takoi presidenten e së ashtuquajturës Kosovë, e cila cilësohet nga vendet më të fuqishme të Perëndimit si presidente e një vendi të pavarur, e dalë nga territori i Republikës së Serbisë”, ka theksuar Vuçiq.

Për Kosovën në Kombet e Bashkuara ka folur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ai ka kërkuar njohjen e pavarësisë së saj.

“Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi; ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje. Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës”, është shprehur Begaj.

Në New York, në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara është duke qëndruar edhe presidentja Vjosa Osmani

Related posts

Seancë e Komisionit parlamentar për çështje ekonomike

Gjyla Halili

Osmani takon Ramën: Bisedë përmbajtësore rreth aspiratës së përbashkët evropiane

admin

Ditmire Shehu: KSHZ-ja gati për zgjedhjet e dyfishta 2024!

Gjyla Halili

Leave a Comment