Teksa shumica e vëmendjes për tragjedinë e përmbytjeve në Libi është fokusuar në qytetin port Derna të tjera zona janë goditur nga vala e padëgjuar e përmbytjeve dhe shkatërrimit që vranë mijëra njerëz.
Qindra viktima dhe shtëpi të shkatërruara shihen nga pamjet në qytetin verilindor Susa, ku megjithë tërheqjen e ujërave, të mbijetuarit njerëzit nuk kanë akses në ujë të rrjedhshëm pas dëmtimeve të impjantit të shkripëzimit nga katastrofa.
Ahmed Saleh, inxhinieri 34-vjeçar vendas thotë se ende nuk e kupton masën e shkatërrimit në qytetin e tij, Susa.
“Përmbytja e madhe erdhi nga mali dhe soli këto gurë të mëdhenj. Familje të tëra kanë vdekur këtu. Uji erdhi si një det i madh, si një valë e madhe”, kujton Ahmed.
“Uji i pijshëm, shkripëzimi është në një situatë të rëndë. Janë shkatërruar tubacionet. Na kanë sjellë ujë nga qyteti tjetër Shad, edhe nga al-Bayda me kamionë, por mbetet problem”, shtoi ai.
Punonjësi i impjantit të ujit Mohammed el-Kilani, thotë se është nevoja për pajisje të reja pas dëmtimeve nga uji dhe balta e përmbytjes.
“Jemi duke punuar por tragjedia ishte shumë e madhe. Këto toka që shihni këtu ishin të kultivuara, përmbytja i ka mbuluar të gjitha. Rreth 60 ferma janë shkatërruar, njerëzit kishin punuar gjithë sezonin dhe tani duhet të ishin duke shitur prodhimet për të jetuar, por i kanë humbur të gjitha”, tha për rrjetin AFP, Al-Kilani
Megjithse numri i viktimave në Susa nuk ishte aq i lartë sa në Derna, tsunami i përmbytjes së 10 shtatorit ka rrafshuar shtëpitë, impjantet elektrike dhe infrastrukturën.
Para përmbytjeve impjanti i shkripëzimit furnizonte me ujë rreth 320,000 njerëz në Susa dhe qytezat fqinje Al-Bayda e Cyrene.
Susa gjendet rreth 60 kilometra në perëndim të Derna, dhe ishte një pikë e njohur turistike për plazhet e saj dhe formacionet shkëmbore bregdetare.
Qyteti fqinjë Cyrene, njihet për rrënojat e mbrojtura me të njëjtin emër, të cilat janë dëmtuar nga gurët që sollën vërshimet nga malet Jabal al-Akhdar.
Top Channel