Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do të mundësonte rifillim konstruktiv të dialogut.
Këto komente sipas një komunikate të Presidencës, Osmani i ka bërë gjatë takimit me zëvendëskëshilltarin për siguri kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer, ku thuhet se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Në komunikatë thuhet se sipas Osmanit, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve, është përcaktues në dialog”, citohet të ketë thënë Osmani.
Osmani thuhet se ka deklaruar se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA-në, për të adresuar sfidat e sigurisë.
Sipas Osmanit, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.
Sipas Osmanit në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, roli i SHBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.
Në këtë kontekst, Osmani ka theksuar se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.
“Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, citohet Osmani.
Presidentja takimin me Finerin e ka zhvilluar gjatë qëndrimit në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.