Një ndjekje si nëpër filma: kështu përshkruhet operacioni i policisë spanjolle për kapjen e dy trafikantëve shqiptarë në malet e Pallars Jussa.
Skuadra Mossos përdori dhe një helikopter për këtë qëllim. Pas një hetimi të gjatë, oficerët e policisë katalanase po përgatiteshin të shkatërronin një plantacion marijuane në një pyll midis Senterada dhe Vall Fosca, kur dy shqiptarët që e kontrollonin atë, u larguan me shpejtësi prej andej.
Forcat e rendit arritën të vinin në pranga vetëm njërin prej trafikatëve, ndërsa tjetri shpëtoi dhe është ende në kërkim. Operacioni është duke vazhduar. Plantacioni i mësyrë gjendej pranë një banesë gjysme të rrënuar në një zonë të thellë, ku është e vështirë të shkosh e ku u gjetën me mijëra bimë kanabisi.
Operacioni në Senterada ndodh disa ditë pasi Mossos ra në gjurmët e një tjetër plantacioni në Pallars ku u sekuestruan 2800 bimë marihuanë me lartësi gati një metër e gjysmë, dhe me vlerë tregu gati katër milionë euro.
Aty u gjetën po kështu dokumente të ndryshme dhe pesë celularë. Policia katalanase arrestoi gjashtë persona, të moshave nga 25 deri në 48 vjeç, si përgjegjës për kultivimin.
Tre prej tyre u arrestuan në vend, ndërsa të tjerët tentuan të largoheshin nëpër pyll, por edhe ata u kapën shpejt.
Top Channel