I dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur për akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti drejt ndërmjetësit evropian në dialog, Miroslav Lajçak.
Tutje Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka kërkuar qasje të re në dialogun Kosovë-Serbi, duke e kritikuar kryeministrin Albin Kurti që, siç thotë ai, e ka marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”.
“Jo. Nëse do të më duhej të thoja diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”, tha Escobar.
Escobar ka thënë se Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara dhe se i njëjti nuk do të largohet nga pozita që e ka në dialog.
Tutje Escobar, ka thënë se është i alarmuar nga sulmet, siç i ka quajtur ai “personale” në Kosovë ndaj Lajçakut.
Esocbar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se nuk po pohon se këto sulme vijnë nga nga qeveria e Kosovës, por se qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme.
Ai shtoi se ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani që ti dënojnë këto sulme.