Gjatë vizitës në Nju Jork, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj u takua edhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar. Referuar njoftimit zyrtar të Presidencës, Begaj shprehu vendosmërinë…
Gjatë vizitës në Nju Jork, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj u takua edhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.
Referuar njoftimit zyrtar të Presidencës, Begaj shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet e partneritetit strategjik me SHBA dhe për të eksploruar të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik dhe lidhjet e forta midis dy vendeve.
“Situata në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, si edhe proceset integruese të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të rëndësishëm në bashkëbisedimin e Presidentit Begaj me zyrtarin e lartë amerikan. Ai i përcolli falënderimet për dedikimin e Presidentit Biden dhe administratës së SHBA për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në rajon, duke vlerësuar si thelbësor, rolin e SHBA-ve për rajonin tone”, thuhet në njoftim.
Një vëmendje të shtuar ka pasur edhe situata në Kosovë.
“Në takim u vu theksi tek domosdoshmëria e uljes së tensioneve në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve”, përfundon njoftimi.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i ngushtë i SHBA-ve për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.