Më 28 korrik, MINT njoftoi se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”, duke konstatuar se Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin, kur pezulloi certifikatën e biznesit për Klan Kosovën.
Ndryshe, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, më 22 qershor, e ka anuluar vendimin me të cilin një ditë më parë, ishte shfuqizuar pezullimi për certifikatën e biznesit të Klan Kosovës. Më pas, Klan Kosova dorëzoi ankesë në ARBK.
Në vendimin e ARBK-së, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit. Në vendim shkruan se Prestreshi e ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosovën.
Pas kësaj, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 16 qershor 2023, ka njoftuar se zyra ligjore e KPM-së, ka dhënë një rekomandim me dy dispozita, lidhur çështjen e pezullimit të certifikatës së licencës së Klan Kosovës. Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, tha se Klan Kosova, në afat prej 30 ditësh duhet të bëjë plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit, konfrom rregullores për ofruesit e shërbimeve mediale.
Kurse, më 16 qershor 2023, Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN): Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE), kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për pezullimin e licencës së biznesit për Klan Kosovën.
Sipas organizatave anëtare të HRN-së, vendimi i MINT është shkelje e drejtpërdrejtë e lirisë së shprehjes dhe medias, si dhe ngjan në një përpjekje për të kontrolluar mediat dhe kufizuar lirinë e fjalës.
Më 19 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka dhënë sqarime shtesë lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke thënë se përpjekja që një çështje biznesi, të përshkruhet si sulm ndaj lirisë së shtypit, është e paarsyeshme dhe e paqëndrueshme. /BetimipërDrejtësi/