Bisedimet e pafrytshme të kësaj jave në Bruksel kanë ngritur dilema e paqartësi për mënyrën e vazhdimit të dialogut
As këtë herë, Kosova dhe Serbia nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes bazike të arritur në fillim të vitit.
Për ngecjen e procesit, në kryeqendrën evropiane ka vlerësime se përgjegjësi kryesor është vet Bashkimi Evropian.
Eksperti ndërkombëtar i integrimit evropian, Johann Weick e sheh të domosdoshme përfshirjen direkte të SHBA-së.
“Nuk ka asnjë përparim, ka një lloj vështrimi të situatës, kështu që në një moment duket se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të dialogojë, të mbajë dialogun në drejtimin e duhur. Kështu që ndoshta është koha për të përfshirë një partner tjetër, le të themi Shtetet e Bashkuara që janë ndoshta një partner më neutral dhe më i besueshëm sepse SHBA mund të japë një sinjal të fortë. SHBA ka një ushtri të fortë e cila mbështet NATO-n dhe është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet mjaft shpejt, sepse dhe viti i zgjedhjeve presidenciale në SHBA nis gjatë nëntorit dhe kjo do të thotë se politika amerikane do të merret me çështje të brendshme”, thotë Johann Weick, Ekspert i integrimit evropian.
Në thelb, sipas Weick, BE-ja nuk e kupton plotësisht natyrën e mosmarrëveshjeve mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
“Bashkimi Evropian nuk e di se çfarë po ndodh. Kjo është diçka që nënvlerësohet, ata nuk morën mësim. I gjithë Ballkani duke nisur nga vitet e 90-ta, fillimisht më 1992 në Bosnje, pastaj me marrëveshjen e Dejtonit në 1995, dhe gjatë viteve 98-99 në Kosovë, ishte vazhdimisht në vëmendje të amerikanëve. Bashkimi Evropian, më vjen keq ta them, nuk ishte askund. Ata me sa duket nuk e kanë idenë se ky është një konflikt etnik midis shqiptarëve dhe serbëve që janë shumicë në katër komunat veriore të Kosovës”, shtoi ai.