Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023 numri i të punësuarve u rrit me 2.7 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022.
Rreth 10.7% e forcës aktive për punë ishte e papunë në tremujorin e dytë 2023. Ky është niveli më i ulët i papunësisë që nga tremujori i tretë 2022.
Por sipas INSTAT punësimi është rritur për gratë ndërsa për burrat është rritur papunësia.
“Është esenciale për gruan që të jetë aktive dhe t’i dalë për zot vetes së vet dhe më vjen shumë mirë që në ditët e sotme kjo ka ndryshuar tej mase, si mentaliteti për gratë, si aktiviteti i gruas në punë, në shoqëri, kudo”, tha një prej punonjëseve.
Aktiviteti i një numri të madh fasonerish që kërkojnë punonjëse gra, emigrimi i meshkujve, por edhe gra gjithnjë e më të pavarura duket se ka ndikuar në rritjen e punësimit të grave.
“Gratë punonin, por nuk vlerësoheshin dhe nuk dukeshin në shoqëri, ndërsa në ditët e sotme më vjen shumë mirë që gratë përfshihen, punojnë, deri diku dihet vlera e tyre në shoqërinë tonë”, theksoi ajo.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 4,1 pikë përqindje, dhe për burrat me 1,9 pikë përqindje. Specialistët rendisin disa faktorë që kanë çuar në uljen e numrit të punësimeve tek meshkujt./Top-Channel.tv