Në anën tjetër, analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se Bashkimi Evropian duhet të kërkojë garanci nga Serbia për zbatimin e marrëveshjes bazë me Kosovën.
Ai po ashtu thotë se Kosova duhet të bëjë hapin e madh që ta paraqes pozicionin e saj në raport me Asociacionin.
“Kosova nuk është treguar palë konstruktive në raport me Asociacionin sepse ka vite që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja, e lusin Kosovën që të ofrojë pozicionin e saj në raport me atë si e sheh Asociacionin, gjithsesi brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Mirëpo ka pasur një bojkot dhe injorim të plotë të kësaj teme nga ana e Kosovës, prandaj kanë ardhur edhe presionet ndërkombëtare”, thekson Muhaxhiri
Sipas tij, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, nuk do të largohen derisa të ketë një vendosmëri më të madhe të Kosovës për zgjedhjet në veri.
“Nuk mund të ketë largim të bllokadës dhe deeskalim, pa garanci të forta nga ana e Qeverisë së Kosovës për zgjedhjet në veri, për infrastrukturën dhe sigurimin e të gjitha mjeteve dhe lehtësimin e procedurës së (zgjedhjeve). Gjithsesi, edhe të garancive nga ana serbe për pjesëmarrje të pakicës serbe në këto zgjedhje në veri”, shton ai.
Të enjten në Bruksel janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mirëpo pa arritur një rezultat për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit, para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, kreu qeveritar tha se gjatë këtij takimi ka propozuar plan të qartë për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë, ndërkaq pas takimit nga ndërmjetësit e dialogut iu është dhënë një dokument dy faqësh të para, gjashtë muajsh, i cili nuk flet për zbatim të marrëveshjes, por kushtëzim të saj me themelimin e Asociacionit.
Për një dokument të tillë, Kurti tha se nuk ka qenë në dijeni, derisa kritikoi lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak se ka cenuar rolin e tij në dialog duke pranuar një kushtëzim të tillë para dakordimit të marrëveshjes së Ohrit.