Rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.
Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për kompromis.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.
Temë kryesore e takimit ishte zbatimi i Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe “çështjet aktuale”, siç i cilësoi BE-ja.
Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.
Borrell: Kurti s’e pranoi propozimin e BE-së
Borrell, duke folur për gazetarët, tha se u ka ofruar palëve propozimn e BE-së që Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh të zbatohet nga të dyja ato paralelisht.
Por, fatkeqësisht, tha ai, Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit” .
“Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto [e Kosovës] si hap i parë”, tha Borrell.
“Jemi përpjekur shumë, por, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të thyhen dallimet”, tha ai, duke shtuar se Vuçiq e ka pranuar propozimin e BE-së.
“Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë”, tha Borrell dhe vuri në dukje se ai mbështetet edhe nga partnerët amerikanë.
Kryediplomati evropian tha, po ashtu, se situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – nuk është qetësuar ende dhe kërkoi nga të dyja palët që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e saj.
“Nuk mund të qëndrojmë ulur dhe të presim krizën e radhës”.
“Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por ajo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë”, tha Borrell.
Kurti: Nuk mund të bëj kompromis me kushtëzimin e vjetër
Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si “kushtëzim të vjetër të Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Nuk ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues. Nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit. Sot, dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellë vetëm Kosova, përmes meje. As pala serbe, as BE-ja”, tha Kurti.
Sipas tij, kushtëzimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së.
“Është për të ardhur keq që emisari evropian, Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, tha Kurti.
Ai tha se Lajçak e ka bërë këtë “në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues”.
“Shpreh gatishmërinë time të plotë që secilin nen të Marrëveshjes Bazike, secilën fjali të preambulës dhe secilën pikë të aneksit të Ohrit, jam i interesuar ta zbatojmë një orë e më parë – në plotni, pa asnjë kusht”, tha kryeministri i Kosovës.
Vuçiq: Bisedimet përfunduan pas sukses
Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.
“Ne të gjithë i kemi propozimet tona – shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.
I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.
“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar”, tha Vuçiq.
“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha ai.
Për formimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë, për shkak të shqetësimeve të shprehura në Prishtinë, në lidhje me ndikimin që do të kishte ky asociacion në funksionalitetin e shtetit.
Marrë parasysh se nuk ka marrëveshje, një gjë e tillë “çon vetëm në probleme më të mëdha”, tha Vuçiq, por shtoi se bisedimet duhet të vazhdojnë.
“I shqetësuar për pozitën e serbëve në Kosovë”
Presidenti serb tha se në takim u diskutua edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Tha se nëse kryetarët shqiptarë të komunave atje japin dorëheqje, ai “do të japë gjithçka nga vetja” që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor, por vuri në dukje se nuk mund të premtojë në emër të tij.
“Para së gjithash, jam i shqetësuar. Nën dy, nuk jam i pakënaqur – së paku, jam i kënaqur që Serbia ka treguar konstruktivitetin e saj, përgjegjësinë dhe vullnetin për t’iu qasur zgjidhjeve të kompromisit… Dhe, nën tre, jam edhe më i shqetësuar për pozitën e popullit serb në Kosovë, pas gjithçkaje që pashë dhe dëgjova sot”, tha Vuçiq, duke shtuar se, në dy muajt e fundit, në Kosovë është rritur numri i incidenteve.
Ai nuk specifikoi më shumë, por tha se, sigurisht, pret reagimin e BE-së.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak./REL