AKTUALE

Sot takohen Kurti e Vuçiqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot pritet të zhvillojnë një takim në kaudër të dialogut që Kosova e zhvillon me Serbinë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian (BE).

Fillimisht Kurti e Vuçiqi parashihet të zhvillojnë takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e pastaj pritet të mbahet takimi trepalësh.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga BE-ja të martën e kësaj jave është bërë e ditur se takimet bilaterale do të nisin në orën 9 të mëngjesit, e pas tyre do të zhvillohet takimi trepalësh.

Pas takimeve do të ketë deklaratë për media nga Borrelli

“Takimi do të jetë i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhej në njoftim.

Nga Kosova është shprehur vazhdimisht përkushtimi për zbatimin e Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të BE-së. Për autoritetet, Aneksi për zbatimin e saj duhet të implementohet në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Porse ngeli në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit.

Kurti dhe Vuçiqi janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë mbajtur më 23 prill në veri të Kosovës dhe të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Që atëherë midis dy vendeve ka pasur tensione dhe kriza.

E të mërkurën nga BE-ja është përsëritur thirrja adresuar të dyja palëve që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut. Dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ndonëse kanë arritur me dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Related posts

Ahmeti: Me dhimbje pranova lajmin për ndarjen nga jeta të Bekim Jasharit, luftëtarit të UÇK-së nga Kumanova

admin

249 gjoba në Shkup, 71 për tejkalim të shpejtësisë

Gjyla Halili

“VLEN” merr kuvendin, kush do të jetë kryetari i ri?

Gjyla Halili

Leave a Comment