BOTA

Grupet e ndihmës në kërkimet e fundit për të mbijetuar nga tërmeti shkatërrimtar në Marok (fotot)

Grupe e shpëtimit vijonin sot me intensitet kërkimet e shumta në fshatrat e shkatërruara malore të Marokut teksa shanset për të gjetur të mbijetuar po zbehen.

Numri viktimave nga katastrofa e pesë ditëve më parë në komunitetet e largëta besohet se ka arritur në 2,900.

Ndërkohë kamionë me ndihma po avancojnë në rrugët malore për të sjelle ushqime dhe tenda për të mbijetuarit e goditjes më vrasëse të dekadave të fundit në vend.

Megjithse ka kaluar pragu i 72 orëve për shanset e të mbijetuarve, ka pasur raportime për njerëz të gjetur të gjallë.

“Po punojmë në disa vende,” tha kreu i zjarrfikësave të Katarit, Fahas Abdullah Al Dosanri ndërsa shtonte se disa prej fshatrave të goditur nuk kanë as rrugë automobilistike.

I mbijetuari 18-vjeçar Afrah Fouzia nga fshati malor i Tikht, tha se shtëpia e tij ishte kthyer në një rrënojë.

“Na kanë sjellë donacione ushqimesh dhe batanije, por jo strehim. Këtu së shpejti nis sezoni shirave dhe do të bëhet ftohtë, jemi në gjendje të keqe”.

Maroku është ndërkohë duke mbajtur zi për të vdekurit e tij pas tërmetit të të shtunës.

Qenda turistike e Marrakesh, gjithashtu ka pësuar çarje dhe dëme nga dridhjet, ndërsa shumë familje kanë fjetur jashtë për disa ditë prej frikës së tronditjeve.

Shumë marokenë kanë nxituar të ndihmojnë viktimat me ushqim, batanije apo duke bërë donacione gjaku për të plagosurit.