KOSOVË

E çuditshme, në Mal të Zi zbulohet një tunel 30 metra i gjatë në depon e gjykatës! Lidhte dhomën e provave materiale me një ndërtesë

Kur punonjësit e Gjykatës së Lartë malazeze shkuan në punë të hënën, kanë vërejtur çarje të murit të depos ku mbahen provat materiale. Ata njoftuan menjëherë policinë, që zbuloi se çarja ishte në fakt fillimi i një tuneli që të çonte në një apartament aty pranë, raporton Vijesti.

Sipas raportimeve të mediave malazeze, tuneli është rreth 30 metra i gjatë dhe supozohet të jetë gërmuar për më shumë se një muaj. Ajo lidh ndërtesën e gjykatës me një apartament të një ndërtese tjetër në rrugën “Njegosheva” në kryeqytetin e Malit të Zi.

Pronarët deklaruan se apartamenti ishte marrë me qira në fund të korrikut dhe supozohet se gërmimi i tunelit është kryer gjatë muajit gusht, kur shumica e nëpunësve civilë, përfshirë edhe stafin e Gjykatës së Lartë, ishin me pushime.

Personat që kanë marrë apartamentin me qira kanë përdorur dokumente false. Pronari, i cili ua ka dhënë me qira, është marrë në pyetje në policinë e Podgoricës.

Të hënën e datës 11 shtator ishte zbuluar ngjarja e pazakontë në lidhje me depon, pasi disa sende brenda ishin shpërndarë. Një hetim i mëpasshëm konstatoi se, pavarësisht dyshimeve fillestare, nuk kishte pasur asnjë vjedhje.

Këtë informacion e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës së Lartë, Boris Saviq.

“Ne kemi konstatuar se sendet në depo janë zhvendosur nga vendi i tyre i mëparshëm, por asgjë nuk mungon. Informacioni se diçka është vjedhur nuk është i vërtetë”, ka thënë Saviq.
Incidenti i pazakontë ka nxitur spekulime se kush mund të jetë përgjegjës dhe pse tuneli që të çon në gjykatë ku mbahen dosje të rëndësishme, duke përfshirë gati dhjetë tonë prova droge, është ndërtuar vetëm në dy vjetët e fundit.

Gjithashtu, është interesant fakti se hetuesit gjetën dokumente të shpërndara në dhomën ku u zbulua çarja e murit. Sipas Vijesti, në mesin e dokumenteve që u kontrolluan, ishte edhe një që lidhej me rastin e një anëtari të lartë të të ashtuquajturit ‘klanit të Kavaçit’, Slobodan Kashçelan, dhe 17 anëtarë të tjerë të ‘klanit Kavaçki’, të cilët akuzoheshin se kishin planifikuar likuidimin e dy anëtarëve të grupit kriminal kundërshtar, Jovan Vukotiq dhe Jovan Jovanoviq.

Një veprim i planifikuar me kujdes

Pavarësisht gjithçkaje, Saviq beson se nuk ishte tentativë grabitje, por përgatitje për një arratisje të mundshme, duke pasur parasysh afërsinë e dhomës ku qëndrojnë të pandehurit para se të hyjnë në sallën e gjyqit.

“Dyshojmë se objektivi ishte qasja e lehtë në gjykatë dhe në dhomën e paraburgimit”, ka thënë Saviq.
Duke qenë se hapja e një tuneli të tillë është një “ndërmarrje mjaft e madhe ndërtimi”, duket qartë se kërkonte fonde, fuqi punëtore dhe organizim të kujdesshëm, çka ndoshta dëshmon se ishte vepër e mafies.

“Një sipërmarrje si kjo kërkon organizim, fuqi punëtore, teknologji serioze dhe burime të mëdha financiare. Kur fillon të gërmosh, të duhen koordinata. Ata janë të përsosur. Çdo makineri e përdorur gjatë gërmimit transmeton dridhje dhe ato dridhje do të ndjeheshin nga të gjithë punonjësit”, ka thënë arkitekti Dzhenan Koliq për RTCG.

Hetimi me siguri do të ishte më i lehtë nëse do të gjendej mjeti që përdorej për gërmimin e tunelit, por “minatorët e panjohur” kanë marrë me vete të gjitha pajisjet pas kryerjes së punës. Megjithatë, në tunel u gjetën disa sende nga të cilat, shpresojnë hetuesit, do të mund të nxirret materiali i ADN-së së autorëve.

“Ky është një aksion i planifikuar dhe i organizuar mirë, i përgatitur prej muajsh dhe i ngjan filmave aksion”, ka thënë ministri i Brendshëm malazez, Filip Axhiq, duke shtuar se policia malazeze do të bëjë gjithçka për të gjetur autorët dhe se do të bëhet inventarizimi i materialeve nga depoja, por kjo do të marrë shumë kohë, duke pasur parasysh se në atë depo ishin ruajtur një numër i madh skedarësh.

Kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviq, ka kërkuar hetim të plotë duke thënë se pa ndihmën e dikujt nga gjykata, kjo gjë s’do të kishte ndodhur.

Related posts

Shqipëria, ndër vendet më të mira në Ballkan për t’u vizituar. Ka lulëzuar në dekadën e fundit

admin

Emërohet përbërja e re e Qeverisë së Federatës boshnjake-kroate

admin

Biden do të emërojë David J. Kostelancik për postin e ambasadorit në Shqipëri

admin

Leave a Comment