Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshja për normalizimin e raporteve.
Ambasada amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se në mesin e obligimeve përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne i kërkojmë Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshje për normalizim, të cilët e kanë arritur më herët gjatë këtij viti dhe të nisin të lëvizin përpara edhe në obligimet ekzistuese dhe të mëhershme të dialogut dhe të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, u tha në përgjigje të Ambasadës amerikane.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 shtator do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.
Ambasada tha se SHBA-ja vazhdon “ta mbështesë fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si një mënyrë për të arritur raporte paqësore dhe produktive mes Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas agjendës së paralajmëruar, Kurti dhe Vuçiq do të diskutojnë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, por edhe për çështje aktuale.
Këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia e arritën në shkurt në Bruksel, ndërkaq në mars në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj.