AKTUALE

Kurti thotë se dialogu është dëmtuar, kritikohet BE-ja për qasje jobalancuese

Në një intervistë për “Deutche Welle”, Kurti ka deklaruar se masat i kanë bërë dëm dialogut.

“Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat. Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shprehur gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes bazë, duke shtuar se për çfarëdo rieskalimi të situatës në veri fajtore është Serbia. Sipas tij, Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat për shtensionimin e situatës, mbështetur në kërkesat e BE-së.

Në takimin që do ta ndërmjetësojë shefi i BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Joseph Borrell, më 14 shtator, do të diskutohet për situatën aktuale dhe rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes bazë.

Por njohës të dialogut e kanë kritikuar BE-në për qasje jobalancuese në raport me palët.

“Mendoj se ai (kryeministri Kurti) ka të drejtë: qasja është e pabalancuar. Kjo është e vërtetë jo vetëm për presionin që po bëhet. Është edhe çështje prioritetesh. BE-ja dhe SHBA-ja po insistojnë në objektivin kryesor të Beogradit- Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa ndonjë përpjekje serioze në raport me Prishtinën, që është njohja”, ka theksuar eksperti për Ballkanin Daniel Serwer.

Ai në një përgjigje për KOHËN ka deklaruar se nuk ka pritshmëri për zbatim të marrëveshjes as pas takimit të 14 shtatorit.

“As në Beograd dhe as në Prishtinë nuk duket se ka përpjekje serioze për t’u përgatitur për kompromis. Marrëveshja do të funksionojë vetëm nëse palët vendosin se duan që ajo të funksionojë. Por, nuk besoj se kanë vendosur kështu”.

Takimit Kurti-Vuçiq i kanë paraprirë diskutimet në nivel të grupeve teknike. Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë deklaruar se janë në pritje të komenteve nga Kosova dhe Serbia lidhur me pesë çështjet e diskutuara në korrik, për të cilat nuk ka pasur pajtueshmëri midis palëve.

Asnjëra palë nuk ka treguar nëse është finalizuar ndonjëri prej dokumenteve.

Related posts

Arsovska në aksion për pastrimin e ambientit përgjatë lumit Vardar

Gjyla Halili

VLEN: Proamerikaznimi i rremë i BDI-së e ka emrin “Sergej Llavrov mysafir i Bujar Osmanit”

Gjyla Halili

Ziberi: MPB të punojë me më shumë efikasitet në nxjerrjen e dokumenteve personale

Gjyla Halili

Leave a Comment