BOTA

Orë tmerri në Libi! Stuhia merr përpara çdo gjë, numri i viktimave mund të arrijë 10 mijë

Banorët në Libi kanë përjetuar orë tmerri, pasi stuhia shkatërrimtare ka marrë me vete gjithçka.

Mijëra persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa Tamer Ramadan, një drejtues i Shoqatave të Kryqit të Kuq, ka deklaruar se numri i të zhdukurve rezulton të jetë 10 mijë.

Ai shtoi se vdekjet, ende në një numër jo zyrtar, do të jenë shumë të larta, krahasuar me deklaratat zyrtare që kanë shënuar 2 mijë viktima.

Qyteti Derna, më i godituri, dyshohet se ka pjesën më të madhe të të vdekurve. Zona u godit rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet nga stuhia mesdhetare “Daniel”, që shkaktoi çarjen e digave dhe zhdukjen e lagjeve të tëra.

Pamjet apokaliptike bënë xhiron e rrjetit, ku uji vërshonte me shpejtësi duke marrë çdo gjë me vete. Ekipet e kërkim shpëtimit po punojnë intensivisht në të gjithë vendet e goditura, teksa shkalla e vështirësisë është e lartë për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, i gjithë vendi është në shtetrrethim, njëkohësisht shkollat dhe dyqanet janë mbyllur.

Në raportimet paraprake rezultojnë të paktën 150 shtëpi të shkatërruara totalisht. Kryeministri Abdulhamid Dbeiba, i ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që të menaxhojnë dëmet pas përmbytjeve, ndërsa Zyra e Kombeve të Bashkuara në vend njoftoi se e po ndjek situatën nga afër.