AKTUALE

Edemet (ënjtja) e duarve dhe këmbëve pas lindjes

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër

Pas lindjes një grua pret që periudha e zorshme e shtatzënisë dhe lindjes tashmë ka kaluar dhe pret që trupi i saj të kthehet në gjendjen siç ka qenë përpara se të mbetet shtatzënë. Ndonjëherë ndodhë që të ënjturit, jo vetëm që nuk zhduket, por përkundrazi mund të theksohet akoma me tepër pas lindjes.

Është normale që të ënjturit të vazhdojë edhe një javë pas lindjes.

Një grua shtatzënë ka 50% më shumë gjak krahasuar me periudhën para shtatzënisë. Përveç kësaj sasie të shtuar të gjakut, shtatzëna shton edhe peshë dhe shumica e kësaj peshe në fakt është ujë. Natyrisht që organizmi nuk “shkarkohet” nga gjithë kjo sasi e shtuar e gjakut dhe e lëngjeve menjëherë sapo të lind bebja.

Zakonisht, lehonat shqetësohen dhe janë në ankth se përse i kanë këto edeme. Mos kini merak! Është normale që të vazhdoni të keni akoma edeme edhe disa ditë pas lindjes. Edhe nëse këpucët të cilat i keni pasur për qejfi nuk mund t’i mbathni, sepse ju bien të vogla ose nëse nuk mund të vendosni në gisht unazën të cilën e keni marrë dhuratë nga burri ose nëna, qetësohuni! Mos u bëni merak, sepse kjo do të kalojë. Gati gjithmonë edemet zhduken brenda javës së parë pas lindjes.
Por, përse shfaqen dhe a mund të bëjë diçka një lehonë që këto edeme të jenë më pak të shprehura?

Edemet pas lindjes shfaqet pjesërisht për shkak të ndryshimeve të cilat ndodhin gjatë shtatzënisë, por edhe për shkak të procesit të lindjes. Gjatë shtatzënisë prodhohet progesteron në sasi të shtuar; progesteroni është hormon i cili mban në organizëm kripërat dhe ujin. Njëkohësisht për shkak të mitrës së rritur qarkullimi i gjakut nëpër venat e këmbëve është më i ngadalshëm dhe rrjedhimisht lëngjet grumbullohen në këmbë, gjunjë dhe shputa. Është e pritshme që gjithë këto lëngje të cilat janë grumbulluar gjatë nëntë muajve të shtatzënisë, nuk mund të largohen menjëherë nga organizmi sapo të kryhet lindja. Për më tepër, edemet theksohen akoma më shumë pas lindjes vaginale për shkak të shtërzimeve që ka pasur ajo grua gjatë lindjes dhe si pasojë një sasi e shtuar e gjakut është orientuar kah ekstremitetet. Për këtë arsye një grua pas lindjes mund të ketë ënjtje të duarve, shputave, bile ndonjëherë edhe ënjtje të fytyrës.

Gjatë lindjes zakonisht grave iu jepen infuzione dhe këto akoma më shumë i mbushin me lëngje enët e gjakut duke kontribuar në shfaqjen e edemeve. Infuzionet jepen gjatë lindjes me prerje cezariane, por edhe gjatë lindjeve vaginale (gjatë lindjes vaginale mund të jepet tretje fiziologjike me oksitocinë për të shtuar tkurrjet e mitrës).

Për të ulur edemat një grua pas lindjes duhet të hajë rregullisht dhe ushqimi duhet të jetë i shëndetshëm. Ushqimi duhet të jetë i pasur me proteina, lehona duhet të hajë mjaft fruta dhe perime. Nuk duhet të hahen ushqimet e shpejta, sepse ato përkundrazi shkaktojnë fryrje. Mund të duket e çuditshme, por rekomandohet që të pihet më shumë ujë. Duket e pakuptimtë si ka mundësi që rekomandohet të pihet më shumë ujë, ndërkohë që në organizëm ka sasi të shtuar të lëngjeve, por në fakt kjo është e vërtetë, prandaj përpiquni që të pini më shumë ujë. Keni kujdes dhe përpiquni që të mos e mbani urinën! Shkoni në toalet çdo 3-4 orë dhe zbrazni rregullisht fshikëzën e urinës.

Është mirë që të jeni aktive fizikisht, sepse në këtë mënyrë i zvogëloni edemrt. Duke lëvizur dhe duke bërë ushtrime të lehta fizike lehtësohet qarkullimi i gjakut dhe me djersë largoni lëngjet nga organizmi. Mos u kufizoni vetëm në aktivitetin fizik që bëni gjatë kujdesit për beben, por gjeni kohë edhe për ushtrime të lehta ose për një ecje të shkurtë.

Mund t’i mbani këmbët mbi karrige, sepse në këtë mënyrë edemet zhduken më shpejt. Disa lehona mbajnë rripa shtrëngues ose veshin rroba të ngushta për t’i “fshehur” ato. Në ditët e para pas lindjes mos vishni rroba të ngushta, sepse në këtë mënyrë vështirësohet qarkullimi i gjakut venoz dhe kjo përkundrazi mund t’i shtojë edemet.

Është rrezik nëse edemet shfaqen vetëm në njërën këmbë. Kjo është shenjë rreziku! Mund të jetë shenjë e trombozës së venave të thella. Nëse ato shfaqet në vendin e prerjes (në vendin e epiziotomisë ose në bark nëse lindja është kryer me prerje Cezariane) kjo mund të jetë shenjë infeksioni, prandaj menjëherë konsultohuni me mjekun tuaj, sidomos nëse përveç edemes ka edhe skuqje dhe rrjedh sekret me erë të pakëndshme.

Nëse edemet vazhdojnë ose theksohen edhe pasi që ka kaluar më shumë se një javë pas lindjes, konsultohuni me mjekun tuaj. /Telegrafi/

Related posts

Shpartallohet VLEN në Kërçovë, Fatmir Dehari e nokautoi Arben Taravarin

Gjyla Halili

Anketa e opozitës: BDI fituese absolute në kampin shqiptar

Gjyla Halili

Në Shtip në votim deri në orën 9 kanë dalë 5,27 për qind e votuesve

Gjyla Halili

Leave a Comment