Gjatë qëndrimit në Holandë, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një bisedë me studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Leiden në Hagë dhe diplomatë të rinj.
Në fjalën e tij, Bislimi ka folur mbi zhvillimin e Kosovës dhe progresin socio-ekonomik që ka njohur vendi.
“Përtej barrierave me të cilat vendi është përballur, Kosova ka treguar potencialin e saj për zhvillim. Vëmendje të veçantë ka patur në rritjen e qëndrueshme dhe shpërndarjen e drejtë e të barabartë tek qytetarët. Zhvillimi i Kosovës u reflektua dhe në renditjet e indekseve ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Sa i përket integrimit evropian, zëvendëskryeministri ka folur mbi mbështetjen e gjerë të qytetarëve ndaj anëtarësimit në familjen evropiane.
Ai ka theksuar se me rëndësi është fuqizimi i mesazhit se Kosova, përmes dhe institucioneve të saj të maturuara e të përgatitura, është e gatshme të bëjë hapa tutje në këtë proces.
“Bashkimi Evropian është vizioni, fati e destinacioni ynë”, është shprehur Bislimi.
Ai tutje ka thënë se sinjali që japin dhe raportet e përpiluara për Kosovën siç është vetë ai i Komisionit Evropian, mund të përdoret si kriter matës për të treguar se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat