AKTUALE

Gashi: Rrezik i lartë i largimit të policëve nëse Qeveria nuk i merr seriozisht kërkesat e tyre

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Gashi ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti, rreth 50 policë e kanë lëshuar vullnetarisht institucionin.

Ai ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme do të duhej të merrej më seriozisht me sfidat dhe problemet me të cilat përballen pjesëtarët e PK-së tash e 24 vjet.

“Përkundër kërkesave të Policisë së Kosovës që kanë ardhur në mënyrë të drejtpërdrejt, Qeveria nuk ka arritur ta gjejë një zgjidhje edhe në vitin 2023. 24-vjetori Policinë e gjen pa sigurim shëndetësor, pa sigurim të jetës dhe me probleme të tjera shtesë sfiduese. Jetojmë në një kohë relativisht të lartë të inflacionit dhe kërkesa është që zyrtarëve policorë t’u rritet rroga, t’u krijohen kushte infrastrukturore për të operuar, megjithatë ky institucion ka sfida dhe probleme me të cilat Ministria do të duhej të merrej më seriozisht. 50 policë në këtë vit e kanë lëshuar vullnetarisht Policinë e Kosovës. Nëse Qeveria s’ka interesim për kërkesat e policëve, rreziku i largimit të tyre është i lartë”, ka thënë ai.

Në ditën kur u shënua 24-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës, Gashi ka thënë se nuk do të duhej të ekspozohej armatimi i saj, siç u bë në manifestimin e së mërkurës.

“Kam pritur që në këtë ditë të ketë organizime dhe aktivitete që lidhen me bashkëpunimin e Policisë me qytetarët, edhe pse ishin hapur stacionet për vizita të qytetarëve, por të ketë edhe organizime të tjera që lidhen me familjarizimin e zyrtarëve policorë me qytetarët si aktivitetet sportive, por jo edhe ekspozimi i armatimit. Ky ekspozim sinjalizon filozofinë e policimit të mbështetur në forcë. Sipas mendimit tim është dashur ta organizojnë ndryshe, të ndahen mirënjohje dhe dekorata për të gjithë ata që në punën dhe angazhimin e tyre kanë dhënë rezultate. Ekspozimi armatim i targetohet institucionit militar, përkatësisht ushtrisë”, është shprehur ai.

Në bazë të matjeve, Gashi ka thënë se sa i përket reagimit PK-ja qëndron mirë në raport me rajonin.


Gashi: Situata në veri mund të tensionohet në çdo moment

Ish-ministri i Punëve të Brendshëm ka deklaruar se situata në veri mund të tensionohet në çdo moment pasi sipas tij, situata është fluide.

“Prania e zyrtarëve të inteligjencës serbe është e madhe. Kanë skenarë për destabilizim të asaj pjese. Reagimi i institucioneve ka shkuar në favor të politikës së jashtme të Serbisë. Kosova përkundër kapaciteteve reaguese, e ka problem të përballet me grupe kriminale të përgatitura nga Serbia, që zbatohen nga grupet që janë në këto komuna…Janë shumë të pranishme, kanë arritur nga rrjetet sociale frikësimet e kërcënimet”, ka shtuar ai.

Sipas Gashit, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk mund të mbahet edhe gjatë në veri pasi “problemi është politik dhe kërkon zgjidhje politike”.

 

Related posts

VMRO akuzon për parregullsi gjatë furnizimeve publike në shumë institucione shëndetësore

Gjyla Halili

Qarkullimi rrugor, Balla: Rritje e përgjegjësisë qytetare dhe jo e ndëshkimit

admin

Izet Mexhiti: VLEN do të ketë më së shumti vota shqiptare dhe deputetë shqiptarë më 8 maj

Gjyla Halili

Leave a Comment