Armë të ndryshme, robotikë, automjete, autoblinda, motorë, pajisje të forenzikës dhe ato të mjekësisë u ekspozuan në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, për të shënuar 24-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, foli për qëllimin e këtij ekspozimi.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është që qytetarët tonë të ndihen të sigurt që këto pajisje janë për të siguruar rend dhe ligj për qytetarët tonë dhe nuk kanë nevojë të frikësohen nga Policia e Kosovës, përveç atyre që janë në kundërshtim me ligjin”, tha Hoxha.
Në shënimin e ditës së tyre, pjesëtarët e Policisë i informuan qytetarët për pajisjet dhe rastet kur përdoren ato.
“Këtu është skaner me rreze X-ray i cila na ndihmon në përcaktimin ose detektimin e materialeve të ndryshme qoftë narkotik, armë municion eksploziv në pjesët të cilat nuk mundemi me i hap ose me i dekomponu siç janë veturat ose automjetet, pjesët e bagazheve”, theksoi Ferki Ahmeti nga Departamenti Kufitar.
E qytetarët u shprehen të kënaqur me punën e zyrtarëve policorë.
“Përshtypjet e mia për 24 vjetorit ishin shumë të mira të vendosura, e kënaqur me pajisjen speciale të armatimit dhe në të gjitha mënyra që na kanë nevojitur… I sigurt jemi jo vetëm unë por të gjithë dhe jemi shumë të kënaqur e kemi besim në ta”, theksoi qytetari Eroll Krasniqi.
Për të parë nga afër pajisjet ishin edhe disa filloristë që synojnë të veshin uniformën e kaltër në të ardhmen.
“Ndjenja ime ishte e pamendueshme, e kam pritur këtë ditë prej që mësuesja na tregoi lajmin dhe mezi kam pritur t’i shoh dhe t’i njoh të gjithë policët dhe t’i shoh mjetet që ata i përdorin… Po ëndërr e kam të bëhem police se dua ta mbroj popullin tim”, tha Rejhana Bajrami, nxënëse në SHFMU “Faik Konica”.
Edhe Buna Krasniqi, nxënëse në këtë shkollë ka folur për përshtypjet e saj për pajisjet e ekspozuara.
“Më së shumti më kanë bërë përshtypje veturat që kanë qenë shumë të rënda pasi nuk kam parë kurrë vetura shumë të rënda dhe më kanë bërë përshtypje pajisjet dhe roboti”.
Në hapësirat e sheshit “Skënderbeu” pjesëtarët e policisë e përmbyllën organizimin me një demonstrim, ku u tregua se si qeni ndihmon në zbatimin e ligjit.