Ndërsa, Faton Lahu, nga Njësia Speciale për trajtimin e mjeteve eksplozive u shpreh se njësia e tij bart një sërë mjetesh të cilat shërbejnë për identifikimin dhe bartjen e mjeteve eksplozive.
“Njësia jonë mision ka trajtimin e mjeteve eksplozive. Mjetet të cilat i kemi shërbejnë për identifikimin e mjetit për ta bart dhe larguar nga një pozicion në tjetrin. Kemi pajisje nga mbrojtja e eksplozivit. Kemi pajisje me të cilat manipulojmë më to. Kemi pajisje për bllokimin e frekuencave, skaner, për identifikimin e mjeteve shpërthyese, etj”, ka thënë Lahu.
Në një tjetër sektor ishin ekspozuar armë të llojeve të ndryshme, nga më të voglat e deri të ato më të rënda.
Për këtë foli Gëzim Ibrahimi, operator në Njësinë Speciale në Mitrovicë.
“Këto armë shërbejnë për të arritur objektivat ligjorë tonat. Të gjitha këto pajisje që i kemi, duke i llogaritur dhe armët e kalibrit të ndryshëm janë për arritjen e objektivave tona”, tha ai.
Ndërsa, drejtoresha e Shërbimit Shëndetësor në kuadër të Policisë së Kosovës, Lindita Kajtazi, e cila me profesion është interniste endokrinologe tha se sektori i mjekësisë është i përbërë nga mjekë, infermierë dhe sektori i psikologjisë është i përbërë nga psikolog dhe këshilltarë rajonal.
Sipas saj, qëllimi kryesor është ofrimi shëndetësor për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përfshirë personelin e uniformuar dhe stafin civil.
“Ofrojmë rekomandime mjekësore, përkrahim rastet e veçanta shëndetësore të një kategorie më serioze duke i ndihmuar me pushime mjekësore dhe ofrimin e kompensimeve materiale në mungesë të sigurimit shëndetësorë. Kemi dhe aktivitete të ndryshme vetëdijësuese”, ka thënë Kajtazi.
Ndryshe, në kuadër të shënimit të 24 vjetorit të Ditës së Policisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha stacionet policore qytetarët zhvilluan vizita. /Telegrafi/