AKTUALE

Osmani për reagimin ndaj Macronit: Nuk ishte kërcënim, thjeshtë isha e sinqertë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistë për “Top Channel” është pyetur për deklarimin e bërë se “pezullimi i vizave nënkupton vdekjen e dialogut Kosovë – Serbi”.

Kjo deklaratë e Osmanit kishte ardhur pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte përmendur mundësinë e shqyrtimit të vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën dhe masa tjera ekonomike për Kosovën e Serbinë në rast se “palët nuk sillen me përgjegjësi”.

Deklaratat e Osmanit ishin vlerësuar si jopolitike e të pamatura.

Por, Osmani ka thënë se në asnjë moment nuk ishte kërcënim ndaj presidentit të Francës apo ndaj ndokujt tjetër.

“Në radhë të parë unë në asnjë moment nuk e vlerësoj si kërcënim as në përmbajtje e as në ton. Presidenti Macron nuk ka as ndonjë dobi as ndonjë dëm nga fakti se a merr pjesë Kosova në dialog apo jo. Në mënyrë që të konsiderohej kërcënim ndaj tij, do të duhej ta shpjegonin kritikët se ku qenka dobia e tij si president i Francës, apo dëmi në raport me të, nëse Kosova nuk merr pjesë në dialog. Unë kam pasur rastin ta takoj presidentin Macron disa herë. Mendoj se e njoh jashtëzakonisht mirë. Hera e parë kur ka dhënë premtimin se do të votojë pro për liberalizimin e vizave ka qenë kur unë e kam takuar në qershor të vitit 2021. Pastaj edhe vetë Qeveria e Francës, pasi përfundoi vendimin për liberalizimin, deklaroi publikisht se presidenti Macron mbajti premtimin e dhënë në qershor 2021, në takimin që kishte me mua në Bruksel”, ka thënë Osmani për “Top Channel”.

Osmani ka thënë se partnerët ndërkombëtarë atë që e kanë vlerësuar gjithmonë te Kosova ka qenë sinqeriteti i plotë.

“Në gjitha takimet që kam pasur me të, vlerësoj që ajo çka Macron e gjithë aleatët presin nga ne, është sinqeriteti i plotë se çfarë mendojmë se mund ta ndihmojë dialogun dhe çfarë mendojmë se mund ta dëmtojë dialogun, si një proces nga i cili ka interes gjithë rajoni. Sa më parë të përfundojë me sukses e duke e ruajtur Kushtetutshmërinë e vendit tonë, sovranitetin e integritetin territorial, aq më mirë do të jetë për gjithë ne, sepse më në fund do të kemi paq e stabilitet afatgjatë. Dhe unë kam mësuar, asnjëri nuk jemi perfekt, as nuk lindim me gjitha mësimet, sidomos ato të politikës së jashtme, por e kam mësuar këto 22 vjet, në veçanti e kam mësuar më së shumti nga SHBA-ja, që sinqeriteti me partnerët tanë është ajo që vlerësohet”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se nuk ka qenë në asnjë mënyrë kërcënim deklarata e saj, por ka përsëritur se çështja e vizave ka qenë “padrejtësi historike që i është bërë popullit të Kosovës”.

“Absolutisht nuk është krëcënim, është thjeshtë informim në raport me partnerët tanë, se nëse nuk janë të kënaqur me veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës apo të presidentes së Republikës së Kosovës apo të institucioneve në përgjithësi, ndëshkimi s’duhet të jetë ndaj popullit të Kosovës. Çështja e vizave ka qenë padrejtësi historike në raport me popullin tonë. Ta konsiderosh popullin e Kosovës si popull që meriton geton, nënkupton ta konsiderosh si popull të shkallës dytë a tretë, e të mos vlerësosh faktin se është populli më pro evropian në kontinentin tonë, një popull e shtet që është qind për qind në linjë të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme e të sigurisë së kontinentit evropian e në veçanti të BE-së”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se është e ka thënë edhe publikisht se është e interesuar që sa më parë të përfundojë procesi i dialogut. Po ashtu Osmani ka thënë se Republika e Kosovës ia ka borxh “lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe shtyllat e fuqishme edhe aleatëve ndërkombëtarë”.

“Unë jam e bindur se presidenti Macron në fakt i vlerëson këto, prandaj qëllimi im është të gjithë aleatët tanë të kuptojnë, çfarë në fakt mund ta dëmtojë procesin e dialogut dhe si presidente nuk jam e interesuar që të dëmtohet ai proces. E kam thënë çdo herë publikisht, është në interesin tonë të përfundojë sa më parë. Të mos na mbajë peng procesi i dialogut, natyrisht nëpërmjet taktikave të ndryshme të Serbisë, ku krijon krizë pas krize, e shtyn dialogun pafundësisht e rrjedhimisht edhe sukseset e Kosovës. Unë mendoj se me presidentin Macron dhe me gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, duhet të jemi të sinqertë e të flasim hapur. Por, në asnjë moment në historinë time politike, s’kam përdorur tone kërcënimi ndaj askujt. Republika e Kosovës është shtet që lirinë, pavarësinë e saj, demokracinë dhe shtyllat e fuqishme të shtetit, ua ka borxh edhe ndihmës së aleatëve, natyrisht në radhë të parë sakrificës së popullit tonë, por pa aleatët edhe në Evropë e mbi të gjitha SHBA-të, asnjë sukses i yni s’do të ishte i mundur”, tha Osmani.

Related posts

Kuvendi për sot ka caktuar seancë të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime

Gjyla Halili

ITSHKSH insiston që Memoriali i Bllacës të përfshihet në listën objekteve të rëndësisë së veçantë

admin

Një rekord i ri botëror është vendosur me procesorin e ri Core i9-14900 nga Intel, pamje që e dëshmojnë këtë

Gjyla Halili

Leave a Comment