Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po e vazhdon të qëndrojë në Kosovë, pasi u lejua nga Dhomat e Specializuara, që të vizitojë babanë e tij, në gjendje të rënduar shëndetësore. Kjo është hera e dytë që brenda këtij viti, për arsye të njëjta, Specialja e ka lejuar ish-presidentin Thaçi që të vijë në Kosovë, jo të gjitha kërkesat për vizita me arsye humanitare të të akuzuarve të speciales, janë miratuar.
Haga shfaqet rrallë në tabelën informuese të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Kjo pasi nuk ka një linjë direkte të fluturimeve ndërmjet këtyre dy qyteteve dhe çdo fluturim zhvillohet në mënyrë të veçantë.
Një i tillë ndodhi të shtunën, kur në Kosovë u soll ish-Presidenti, Hashim Thaçi.
Gjendja e rënduar e babait të Thaçit, i bindi Dhomat e Specializuara që atij t’ia lejojnë një vizitë humanitare në vendlindje.
Lajmin, Specialja e konfirmoi edhe përmes një komunikate për publikun.
Thaçi të shtunën ka qëndruar rreth dy orë në shtëpinë e tij në fshatin Burojë, përderisa shumicën e kohës do ta kaloj në objektet e EULEX-it.
Përgjatë qëndrimit në Kosovë, avokati Ardian Bajraktari vlerëson se të akuzuarve nga Specialja do të duhej t’u ofrohej më shumë liri.
“Kanë shprehur gatishmërinë e plotë për t’u ballafaquar edhe me akuzat, mirëpo edhe për të bashkëpunuar me organet përkatëse që zhvillojnë procedurat. Prandaj, natyrisht që kjo do të duhej të merrej në konsideratë nga ana e panelit dhe rrjedhimisht të ketë më tepër tolerime të tilla”, ka thënë Ardian Bajraktari – avokat.