Zgjedhjet e reja në veri janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.
Cakolli thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kryetarëve aktual pasi që përmes peticionit nuk ka asnjë siguri që pjesëmarrja e komunitetit serb për largimin e kryetarëve mund të pasohet edhe me pjesëmarrje në zgjedhjen e kryetarëve të rinj.
“Kësisoj do të mund të arrijmë në pikën kur edhe pse administrohet një proces i votimit dhe kryhen procedurat në fakt vetëm kthehemi në pikën e njejtë ku potencialisht zgjedhen kryetarët e rinj nga radhët e komuniteteve tjera përveç atyre serbe e që pastaj pritet prapë të shkarkohen nga ana e qytetarëve serbë duke ditur sa kompakt ata janë në aspektin demografik por edhe atë të nxitjes nga ana e Listës Serbe apo Beogradit zyrtarë për të votuar për largimin e kryetarëve aktual të komunave”, tha ai.
Në fillim të muajit qershor Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja.
Politologu Gogiç thotë se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë po dëshirojnë të mbajnë sa më gjatë krizën në veri në mënyrë që të mos përmbushin detyrimet për të cilat janë zotuar.
“Pra edhe njërit edhe tjetrit i konvenon kjo situatë pasi që nuk është më shumë dramatike, kështu që tani është e durueshme, nuk është në atë nivel që mund të ndodhin disa incidente të dhunshme, mendoj se kjo është për Prishtinën, serbët në veri dhe Beogradin situatë më e favorshme sepse kjo situatë në veri u mundëson edhe Beogradit edhe Prishtinës të mos përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit”, tha ai.