Ajvari tradicional dhe turshitë këtë dimër mund të mungojnë në tryezat e shumë familjeve në Maqedoninë e Veriut, për shkak të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të prodhimeve bujqësore. Me…
Ajvari tradicional dhe turshitë këtë dimër mund të mungojnë në tryezat e shumë familjeve në Maqedoninë e Veriut, për shkak të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të prodhimeve bujqësore.
Me rënien e temperaturave dhe ardhjen e stinës së vjeshtës, tregu i njohur i Shkupit, Bit Pazari, mbushet përplot me speca, domate dhe produkte tjera bujqësore, por numri i blerësve është gjithnjë e më i vogël këtë vit.
Tregu është i mbushur në veçanti me speca të kuq, të cilët përdoren për bërjen e ajvarit, një prodhim tradicional në Maqedoninë e Veriut, por rritja e çmimit të këtij produkti ka bërë që disa familje të heqin dorë nga bërja e ajvarit, ndërsa shumë të tjera ta mendojnë këtë seriozisht.
Stojna Mançeva nga Shkupi thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo është hera e parë që ajo po mendon seriozisht të heqë dorë nga përgatitja e ajvarit.
“Specat janë shtrenjtuar shumë. Një kilogram ka arritur deri në 80 dinarë. Dikur i bëja deri në 100 kavanoza me ajvar. Tani nuk mund të bëjmë as 10 sosh, madje mund dhe fare të mos bëjmë, sepse për të bërë një kavanoz nevojiten 3 deri 4 kilogramë speca, varësisht nga cilësia. Pra, për të përgatitur një kavanoz nevojiten 250 dinarë (4 euro) pa llogaritur shpenzimet tjera, si vajin dhe drutë për shporetin”, tha Mançeva.
Një kilogram speca i kuq tani shitet për 70 deri në 80 dinarë (1.15 deri 1.30 euro), që është një rritje prej mbi 100 për qind në krahasim me vitin e kaluar, apo edhe më shumë me periudhën e para pandemisë, apo fillimit të luftës në Ukrainë.
“Nuk kemi llogari”
Ajo tregoi se para krizës së çmimeve, vetëm për të bërë turshi me speca i ndante rreth 400 euro, prandaj, po mendon “të mos bëjë fare”.
Samet Destani, pensionist, e ndan mendimin e njëjtë si shumë qytetarë të tjerë, të cilën ankohen për shtrenjtimit që kanë goditur standardin e tyre jetësor.
“Me pagën prej 20 mijë dinarëve (300 euro) asgjë nuk mund të bëjmë, as turshitë e as përgatitjet tjera dimërore. Me këto çmimet nuk paguhet të bëjmë dhe kësaj kur t’i shtojmë edhe mundin, nuk ia vlen. Këtë vit nuk do të bëjmë asgjë”, thotë Destani.
“Unë blej nga merketi. Kur shoh se sa janë rritur çmimet e specave nuk kemi leverdi të bëjnë ajvar, turshi apo gjëra tjera”, shprehet Darina Kostovska.
“Nuk kemi llogari. Shtrenjtësi shumë e madhe, çfarë të them. Nuk kemi para, pensionet i kemi shumë të ulëta. Ma keq se tani nuk di nëse do të jetë”, thotë Enver Selmani.
Maqedonia e Veriut, përveç çmimeve e larta të specave, po përballet me paralajmërime për shtrenjtimin e produkteve tjera ushqimore, po ashtu, si të bukës, qumështit, djathit, mishit e të tjerave.
Pse ka rritje të pakontrolluar të çmimeve?
Nuk dihet pse ka ardhur deri te rritja e çmimeve në këtë shkallë, por Inspektorati i Tregut tha se është duke bërë analizat mbi shkaqet e rritjes në kohën kur çmimet në nivel global po shënojnë rënie.
Kryetarja e Shoqatës së Konsumatorëve, Marijana Lonçar, tha se është e nevojshme të merren masa, pasi gjithçka po shkon në dëm të konsumatorëve.
“Nuk duhet pritur që situata me çmimet e ushqimeve të dalë jashtë kontrollit. Ngrirja e çmimeve mund të jetë një masë populliste, por nëse është e nevojshme, le të ndërmerret edhe ajo masë. Qytetarët po kursejnë gjithnjë e më shumë në ushqime dhe disa produkte zëvendësohen me cilësi shumë më të ulëta, ose me vlera ushqyese më të ulëta, që do të thotë se një pjesë e popullatës tashmë është në dietë të detyruar”, tha ajo.
Lidhja e Odave Ekonomike i tha Radios Evropa e Lirë se nevojiten kontrolle të detajuara dhe të përditshme, në veçanti nga komisioni për mbrojtjen e konkurrencës.
“Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës duhet të analizojë çdo ditë zhvillimet në tregu dhe të mundësojë konkurrencë të ndershme. Nëse ka konkurrencë të pandershme apo përqendrim, institucionet duhet të veprojnë, sepse asnjë kompani nuk mund të ketë pjesë dominuese në tregu dhe të diktojë çmimet e produkteve të caktuara”, thotë Trajan Angelovski, kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike.
Nga Ministria e Ekonomisë thonë se janë duke ndjekur situatën dhe nuk përjashtojnë mundësinë e aplikimit të masave, përfshirë ndalimin e punës së bizneseve nëse vërtetohet se ato po abuzojnë me çmimet
“Mundet qysh nesër të ketë masa dhe gjithçka varet nga raportet ditore që marrim nga kontrollet që bëhen në terren nga institucionet përkatëse”, ka thënë Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Raporti i Inspektoratit, por edhe i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, do të jenë bazë për masa eventuale nga institucionet më të larta shtetërore./REL/