Duke folur në një konferencë shtypi, pas takimit joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Toledo të Spanjës, Borrelli ka bërë të ditur se, bashkë me Presidencën spanjolle të BE-së, synohet që të mbahet një takim i ministrave të vendeve anëtare të bllokut me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim që të analizohet situata në rajon.
Ai ka thënë se ky takim do të mbahet në fund të muajit shtator.
“Më 14 shtator do të mbaj takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si lehtësues, për të kërkuar zgjidhje”, ka thënë Borrell pas njoftimit për propozimin spanjoll për takim me ministrat e Ballkanit.
Borrelli ka thënë se procesi i zgjerimit është diskutuar me ministrat e Jashtëm të BE-së dhe ka shtuar se ky proces ka marrë kah të ri pas luftës në Ukrainë. Megjithëkëtë, ai ka shtuar se procesi do të zbatohet “në bazë të meritave”.
“Çështja e zgjerimit ka qenë në diskutimet tona. Kemi diskutuar për Ukrainën dhe për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Do të mbetet proces i zbatuar në meritat individuale”, ka thënë ai, duke shtuar se BE-ja ka nevojë që të përgatitet për zgjerim.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar gjatë kësaj jave, nga Forumi Strategjik i Bledit në Slloveni, që viti 2030 të caktohet si afati deri kur edhe Bashkimi Evropian, e edhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë mbajtur më 23 prill në veri të Kosovës dhe të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Që atëherë, midis dy vendeve ka pasur tensione dhe kriza.
Të mërkurën nga BE-ja është përsëritur thirrja adresuar të dyja palëve që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut. Dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga vitin 2011. Ndonëse kanë arritur me dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.
E përkrahjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi e ka shprehur të enjten edhe i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. Ai ka thënë se Britania e Madhe është në bisedë të vazhdueshme me të dyja palët lidhur me dialogun.
“E mbështesim fuqishëm rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë moment ne vazhdojmë të mbështesim thirrjet e Bashkimit Evropian për shtensionim. Këtë e kam bërë vetë gjatë vizitave të mia dhe e theksoj edhe një herë se sa urgjente është të vazhdojmë me dialogun. Në historinë tonë dhe në përvojën time gati gjysmëshekullore në ushtri, është gjithmonë mirë të flasësh”, ka thënë Peach, tek ka folur për mediumin N1. Peach ka bërë thirrje edhe për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore.
“U bëjmë thirrje të dyja palëve që të shtensionojnë situatën, të kthehen serbët e Kosovës në institucione, që të ketë ekuilibër dhe drejtësi në polici. Të kthehen sa më shpejt në aktivitetin normal të policisë dhe të mundësohet që demokracia të zërë rrënjë realisht në nivel lokal, me çka nënkuptoj zgjedhjet lokale. Ne presim përgjigjen më të madhe të mundshme dhe që të gjitha partitë të marrin pjesë në ato zgjedhje lokale”.