BOTA

Lavrov: Moska nuk sheh shenja të garancive për një marrëveshje për grurin

Rusia nuk sheh asnjë shenjë se do të marrë garancitë që ka kërkuar për të rifilluar zbatimin e një marrëveshjeje që ia hap rrugën Ukrainës, një nga eksportuesit kryesorë të grurit në botë, të transportojë grurë përmes Detit të Zi, tha të enjten ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Zoti Lavrov tha pas një takimi me ministrin e jashtëm të Turqisë, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen së bashku me Kombet e Bashkuara, se Rusia është e gatshme të rikthehet në marrëveshje “që nesër” nëse kërkesat e saj plotësoheshin, por se nuk kishte asnjë shenjë që kjo të ndodhte.

“Rusia ka kërkesa për eksport të pandërprerë të grurit dhe plehrave të saj kimike. Ne konfirmuam rëndësinë e përmbushjes së këtyre kërkesave në takimin tonë”, tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.

Ai shtoi se, me ndihmën dhe kontributin e Turqisë, Kombet e Bashkuara kanë përgatitur një paketë të re propozimesh. “Ne besojmë se kjo ofron një bazë të përshtatshme për ringjalljen e marrëveshjes”, tha ai.

Por zoti Lavrov tha se “nuk ka ende asnjë garanci të vetme për këtë çështje. Ka vetëm premtime. Në momentin kur premtimet kthehen në garanci, me rezultate konkrete që mund të realizohen që nesër, atëherë nga nesër do të rifillonte në tërësi zbatimi i kësaj marrëveshjeje.”

Ai tha se Perëndimi po pengon rrugën drejt një zgjidhjeje.

“Vetë anëtarët e OKB-së nuk mund të bëjnë asgjë, ata janë të detyruar t’i kërkojnë Perëndimit të jetë i arsyeshëm, të ndjekë një qasje konstruktive; Perëndimi nuk dëshiron ta bëjë këtë”, tha ai.


Top Channel

Related posts

OBSH: Të mbijetuarit e tërmeteve të së hënës mund të përballen me një fatkeqësi të re

admin

Turqia lëshon alarm udhëtimi për qytetarët në Evropë

admin

Pas Blinken, Zelensky mirëpret kryeministren daneze në Kiev! Në fokus paketa e ndihmës me avionët luftarakë F-16

admin

Leave a Comment