Shqipëria për të dytin vit radhazi do të kryesojë Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tregoi edhe dy objektivat e vendit tonë që do t’i prezantojë në takimin e parë të shtatorit.
E para lidhet me ngritjen e një platforme bashkëpunimi për ndihmat humanitare, dhe së dyti do të kërkojë një debat të hapur të nivelit të lartë për agresionin rus ndaj Ukrainës.
“Shqipëria nis nesër Presidencën e saj të dytë të Këshillit të Sigurimit të OKB. Kjo Presidencë shqiptare e Këshillit të Sigurimit vjen në një moment vërtetë të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash e konfliktesh shumë serioze, që nga Ukraina e deri tek kriza e pasigurisë së ushqimit si pasojë e luftës në Ukrainë dhe politikave që ndjek Rusia, që nga Jemeni, Sudani e Lindja e Mesme në tërësi, e deri tek kriza e pasiguria që mbizotëron sot në Sahel”, tha ministrja.
“Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence. Së pari, është një nismë tejet e rëndësishme dhe inovative. Vendi ynë, ekipi ynë, ka bashkëpunuar me një grup mjaft serioz organizatash e korporatash të mëdha amerikane, për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi që në njërën anë do të mundësojë që bizneset e mëdha dhe korporatat të ofrojnë kontributin e tyre qoftë financiar, qoftë në mallra apo shërbime në situata krizash humanitare, duke krijuar sinergji apo duke plotësuar mekanizmat ekzistues të ndihmës humanitare”, shtoi Xhaçka.
“Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë, natyrisht do t’i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës. Kjo është një nga çështjet me të cilat ne kemi punuar më shumë, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, ne do të organizojmë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, i cili do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës për paqen dhe sigurinë në botë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar e konsoliduar multilateralizmin dhe respektin për ligjin ndërkombëtar”, tha ajo. /Telegrafi/