Ka të tillë që supozojnë se një sy gjumë në mes të ditës do të rezultojë në ndjenjë më të madhe të lodhjes, por a është vërtet kështu?
Rezultatet e një studimi të ri mbi përfitimet e mundshme shëndetësore të dremitjes dhe si të përfitoni sa më shumë nga gjumi juaj i ditës, japin përgjigjen përfundimtare.
Hulumtimi i ri thotë se dremitjet gjatë ditës mund të jenë të dobishme për trurin. Një studim i ri i botuar në revistën Sleep Healthzbuloi një lidhje modeste midis dremitjes së zakonshme dhe vëllimit të përgjithshëm të trurit.
Studiuesit morën të dhëna nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar – një grup të dhënash të zgjeruara me mbi 500.000 të rritur të moshës ndërmjet 40-69 vjeç.
Duke përdorur një metodë të quajtur randomizimi Mendelian, ata analizuan lidhjen midis shprehive të përditshme të gjumit të pjesëmarrësve dhe markerëve të trurit të tyre, si vëllimi i hipokampusit, koha e reagimit, kujtesa vizuale dhe vëllimi total i trurit.
Hulumtuesit zbuluan se ata që raportuan se dremitën gjatë ditës kishin një vëllim më të madh të trurit. Vëllimi i trurit tingëllon paksa abstrakt, por është thelbësor për shëndetin e përgjithshëm të trurit.
Sipas një studimi të vitit 2016, vëllimi më i madh total i trurit lidhet me një rrezik të reduktuar të vdekshmërisë. Me kalimin e moshës, vëllimi i trurit tenton të ulet, por qëllimi është ta ngadalësojmë atë proces.
Prej kohësh dihet se një gjumë i mirë i natës mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit nga përkeqësimi, dhe ky studim i ri sugjeron se edhe një sy gjumë i shkurtër gjatë ditës mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se dremitja gjithashtu mund ta rritë funksionin kognitiv dhe t’ju ndihmojë të ndiheni më energjikë gjatë ditës, duke e bërë atë një zakon edhe më produktiv. /Telegrafi/