BOTA

Pheniani lëshon dy raketa balistike pas fluturimit të një bombarduesi amerikan, pjesë e stërvitjeve me Seulin

Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt bregdetit lindor të të mërkurën, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut.

Lëshimi ndodhi vetëm disa orë pasi Shtetet e Bashkuara fluturuan të paktën një bombardues me rreze të gjatë veprimi, në Gadishullin Korean, në një shfaqje force ndaj Phenianit.

Shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut thanë në një deklaratë se raketat u lëshuan të mërkurën vonë në mbrëmje nga kryeqyteti i Koresë së Veriut.

Në deklaratë thuhej se ushtria e Koresë së Jugut rriti gatishmërinë për mbikëqyrje në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë njoftoi gjithashtu se Koreja e Veriut kishte lëshuar të paktën një raketë që dyshohet të ishte balistike.

Më herët të mërkurën, Shtetet e Bashkuara fluturuan një bombardues B-1B në Gadishullin Korean, si pjesë e stërvitjeve në terren me Korenë e Jugut. Krahas kësaj Uashingtoni dhe Seuli po kryejnë një stërvitje vjetore të simuluar me kompjuter, të quajtur “Mburoja e Lirisë Ulchi”, e cila nisi më 21 gusht.

Koreja e Veriut i sheh stërvitjet ushtarake mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, si sinjale për një sulm ndaj vendit.

Pheniani e sheh me shqetësim dislokimin e bombarduesve amerikanë B-1B, të cilët janë në gjendje të mbajnë një ngarkesë të madhe armësh konvencionale.

Dislokimi i së mërkurës i bombarduesit B-1B shënon fluturimin e 10-të të një bombarduesi amerikan në Gadishullin Korean këtë vit.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se bombarduesi mori pjesë në stërvitje ajrore me avionë të tjerë luftarakë të SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, në ujërat jashtë bregut perëndimor të Gadishullit Korean. Në deklaratë thuhej se stërvitjet demonstruan angazhimin e SHBA-ve për mbrojtjen e Koresë së Jugut.

Media shtetërore e Koresë së Veriut tha të martën se udhëheqësi Kim Jong Un bëri thirrje që ushtria të jetë vazhdimisht e gatshme për luftime për të penguar ato që i quajti, plane të rivalëve të saj për sulm. Gjithashtu të martën, Koreja e Jugut, SHBA dhe Japonia mobilizuan shkatërruesit detarë për një stërvitje trepalëshe të mbrojtjes raketore në ishullin jugor Jeju të Koresë së Jugut.


Top Channel

Related posts

Scholz paralajmëron Iranin kundër përshkallëzimit të mëtejshëm në Lindjen e Mesme

Gjyla Halili

Gjermanisë do t’i mungojnë pesë milionë punëtorë deri në vitin 2060

admin

Sulme të tjera në Ukrainë, dronët synojnë magazinat e grurit në Odesa pranë kufirit me Rumaninë

admin

Leave a Comment