BOTA

Ushtaret afgane tregojnë historitë e tyre dy vjet pasi talebanët morën pushtetin

Dy vjet më parë, kur talebanët rimorën kontrollin e Kabulit, njësia e vetme afgane e komandove gra u bë objektiv i zemërimit të tyre.

Pjesëtaret gra të ushtrisë amerikane ndihmuan në evakuimin e gati 40 prej tyre. Sot, ndërsa statusi ligjor i këtyre grave është i pasigurt, një grup i quajtur “Misioni i Komandës” po përdor artin për të ndihmuar në lehtësimin e traumave të së kaluarës duke mbështetur të ardhmen e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb sjell historinë e tyre.

Në qytetin e vogël të Budës, në Teksas, këto gra po krijojnë diçka të re duke përdorur pjesë të së shkuarës së tyre.

“Një proces transformues i shndërrimit të veshjeve në letër. Zakonisht njerëzit nuk e besojnë. Ata bëhen pjesë e këtij procesi magjik. Unë e them gjithmonë se ngjan paksa si alkimi”, thotë Jenn Hassin, veterane dhe artiste.

Uniforma ushtarake, kapele, shami, priten, lahen dhe shndërrohen në këtë masë të butë për t’u kthyer në letër ose për t’u përdorur në realizimin e këtyre pikturave.

“Ka të bëjë me çlirimin e asaj dhimbjeje. Qëllimi është të ndërtohet diçka e bukur nëpërmjet diçkaje që ka qenë traumatike”, thotë Erringer Helbling, bashkëthemeluese e “Misioni i komandës” .

Projekti quhet “Raja”, që në gjuhën Dari do të thotë “lehtësim”.

Këto afgane shërbyen në Togën Taktike të Femrave të Ushtrisë Kombëtare Afgane, në krah të forcave speciale amerikane për të mbledhur informacione në zona që burrat nuk mundeshin. Disa nga këto gra amerikane dhe afgane këtu, madje kanë shërbyer së bashku në Afganistan, derisa talibanët morën pushtetin dy vjet më parë.

“Evakuimi, ishte një rrëmujë.Mendoj se shumë prej nesh u ndjenë vërtet të pafuqishëm. Ndjemë se çfarë kishim për zemër, kulturën dhe njerëzit, të cilët ne i donim dhe kujdeseshim, po shembeshin në disa orë apo ditë”, thotë Sarah Scully, veterane e ushtrisë amerikane.

Veterania e ushtrisë Sarah Scully ka punuar me togën taktike të femrave në Afganistan nga viti 2019 deri në 2020. Kur Kabuli ra në duart e talebanëve, ajo dhe gra të tjera ushtarake ndihmuan ushtaret afgane të largoheshin nga vendi.

Është një peridhë për të cilën ish pjesëtaret e ushtrisë afgane e kanë të vështirë të flasin.

“Humbëm ëndrrat tona. Humbëm qëllimet tona, humbëm gjithçka. Gjithçka ndryshoi brenda një dite. Gjithçka”, thotë Nazdana Hassani, ish pjesëtare e togës taktike të femrave në Afganistan.

Pas dy vjetësh, pothuajse të gjitha nga afro 40 komandot femra që erdhën në Shtetet e Bashkuara kanë një status ligjor të pasigurt, kanë ngecur në mesin e një numri të lartë aplikimesh për azil.

“Ato vinin nga një vend ku të jesh grua në ushtri do të thotë të shihesh si rivale, të nxisësh zemërim dhe fakti që disa nga këto gra ende nuk kanë azil dhe disa prej tyre ende nuk dine cila do të jetë e ardhmja e tyre ngre një pikëpyetje të madhe, se çfarë është padrejtësia”, thotë Sarah Scully, veterane e ushtrisë amerikane.

Nazdana Hassani, thotë se kërkon të dijë se ajo dhe familja e saj janë të sigurt, të sigurt nga talebanët. Ajo ia kushtoi jetën endrrës për të qenë pjesë e ushtrisë afgane, një endërr që talebanët ia shuan.

Tani ajo do të jetë pjesë e ushtrisë amerikane, por nuk mundet, derisa të marrë kartën e gjelbër amerikane. (të jetë banore e përhershme)

“E di që koha po ikën. Nëse arrij një moshë, nuk mund të jem pjesë e ushtrisë dhe nuk mund të ndjek ëndrrën time të fëmijërisë”, thotë ajo.

Pak nga pak, ato hedhin në telajo humbjen, dashurinë dhe shpresën e tyre. Grupi mbështetës i veteranëve “Misioni i Komandos” do të prezantojë në një galeri arti në Nju Jork, në nëntor për të mbledhur para dhe për të nxitur ndërgjegjësim.

Vepra e parapëlqyer e Nazdana Hasaniti është ajo në nderim të ushtrisë dhe flamurit afgan. “Afganistani është gjithçka për mua, Afganistani është në zemrën time”, thotë Nazdana Hassani. Traumës i është dhënë një pamje tjetër, e vjetra është kthyer në diçka të re, përmes çdo vepre arti./ VOA


Top Channel

Related posts

Gati padia e katërt për Trump, prova e fortë për ndërhyrje në zgjedhje në Xhorxhia

admin

Akuza për abuzim seksual në Kishën Katolike, hetimet nisin 30 vite pas vdekjes së peshkopit

admin

Biden përfundon udhëtimin në Evropë: Garanci absolute të lidhjeve transatlantike

admin

Leave a Comment