BOTA

Berlini sheh rritje të ndjeshme të sulmeve ndaj komunitetit LGBT, thonë mediat (fotot)

Autoritetet në kryeqytetin liberal të Gjermanisë po raportojnë një rritje të ndjeshme të numrit të sulmeve ndaj komunitetit LGBT, kryesisht nga emigrantët e shumtë që kanë ardhur në qytet nga vende afrikane ose muslimane.

E përditshmja vendase Bild shkruante se pronarja e një bari në Berlin kritikonte planet e qeverisë për hapjen e një qendre të re emigrantësh në zonë, duke iu trembur përplasjeve mes emigrnatëve të huaj dhe klientëve të saj LGBT që mund të ndodhnin në barin e saj.

Rrjeti shtetëror gjerman DW raportonte se kishte 261 incidente të dhunës anti-LGBT në Berlin këtë vit, në krahasim me vetëm 184 në të gjithë vitin 2018.

Autoritetet thanë se sulmet varionin  nga sulme fizike te ofendime apo kërcënime.

Shumica e incidenteve anti-LGBT ndodhnin në zonat e Berlinit ku anëtarët e komunitetit LGBT janë më shumë të dukshëm — si zonat qendrore Friedrichshain-Kreuzberg, Neukölln e Schöneberg.

Shefja e policisë së Berlinit, Barbara Slowik, paralajmëronte “një polarizim në rritje të shoqërisë” dhe rritje e numrit të krimeve të urrejtjes në Berlin, ku si pranimi i refugjatëve dhe komuniteti LGBT janë politika të promovuara të qeverisë, që tashmë po rezultojnë në përplasje me njëra-tjetrën.

Muajin e kaluar në qytetin lindor të Dresden autoritetet shpallën një “emergjencë Naziste” pas rritjes së pikëpamjeve e dhunës radikale, ekstremiste, anti-qeveritare dhe të së djathtës ekstreme.

Zyrtarët vendorë thanë ne nje rezolute se “mendimet e veprimet ekstremiste po ndodhnin gjithnjë e më shpesh” prandaj u bënin thirrje rezidentëve “të ndihmojnë viktimat e dhunës, të mbrojnë minoritetet dhe të forcojnë demokracinë”, shkruan DW.

“’Nazinotstand’ do të thotë se kemi një problem serioz. Shoqëria e hapur demokratike po kërcënohet,” tha zyrtari i majtë bashkiak Max Aschenbach, për BBC partia e të cilit Die Partei inicioi rezolutën.