KOSOVË

Duke falsifikuar dokumente, tjetërsoi prona në vlerë prej 10 milionë euro!

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar të dyshuarin se ka tjetërsuar prona në vlerë rreth 10 milionë euro.

Lidhur me rastin gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e të dyshuarit i janë sekuestruar armatim dhe para të gatshme.

“Hetimi lidhur me këtë rast ka filluar bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë pas dyshimeve të bazuara se i dyshuari A.G. mashkull/ kosovar në bashkëveprim me të dyshuarin Y. H. i cili gjendet në arrati, kanë falsifikuar dokumente dhe dyshohet se kanë arritur të tjetërsojnë një parcelë me sipërfaqe prej 9 (nëntë) hektarësh me vlerë të përafërt të tregut rreth 10,000,000.00 euro (dhjetë milionë euro), me ç’rast të njëjtit pasi që kanë bartur pronat në emër të tyre i kanë parcelizuar dhe më pas i kanë shitur ato tek personat e tretë duke i mashtruar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, të dyshuarit i janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 pistoletë, 1 karikator me fishekë, 50 (pesëdhjetë) fishekë, 2 pistoleta me gas, 4 pushkë ajrore, 2 llaptopë, 1 shtëpizë kompjuteri, 1 telefon celular, 5680 (pesëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) euro para të gatshme, 685 (gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë) dollar amerikan, 100 (njëqind) franga zvicerane, si dhe rreth 500 (pesëqind) dosje të lëndëve të ndryshme në brendësi të të cilave kishte: Fletë poseduese, autorizime, kopje të planeve, historik të pronave, harta kadastrale (kryesisht të Regjionit të Prishtinës), vendime, kontrata të ndryshme të noterizuara të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

“Personi i dyshuar i lartcekur pas arrestimit i është nënshtruar procesit të intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, dhe me vendim të prokurorit kompetent ndaj të njëjtit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme”, “Mashtrim”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””, thuhet në njoftim.

Related posts

Qeveria zdraVo e ka vendin në Beograd

admin

Nenad Rashiq e akuzon Serbinë për shantazh dhe i kërkon ta lirojë drejtorin e Leposaviqit

admin

Shqipëri: Tensione në Parlament/ Opozita bllokon foltoren, protestë para Kuvendit

admin

Leave a Comment