Shefi i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, Gjenerali Mark Milley tha gjatë kësaj jave se është ende herët për të vlerësuar suksesin e kundërofensivës ukrainase, megjithatë si shtoi se ajo ka arritur disa suksese me rëndësi së fundmi.
Komentet e gjeneralit amerikan vijnë ndërsa forcat ukrainase besojnë se kanë thyer vijën më të fortë të mbrojtjes ruse në frontin jugor dhe tashmë do të jenë në gjendje të përparojnë më shpejt. Kievi nisi një kundërofensivë në qershor, por linjat mbrojtëse ruse të përgatitura mirë dhe fushat e minuara prej tyre kanë ngadalësuar përparimin e forcave ukrainase drejt Detit Azov në jug.
Forcat ukrainase thanë gjatë kësaj jave se kanë ngritur flamurin kombëtar në vendbanimin Robotyne në rajonin jugor të Zaporizhzhias.
Robotyne është rreth 100 km nga Berdiansku, një port në brigjet e detit Azov dhe 85 km nga qyteti strategjik i Melitopolit. Të dyja janë nën kontrollin e forcave ruse prej fillimit të agresionit rus në shkurt të vitit të kaluar.
Komandanti i Batalionit ukrainas “Skala”, i cili përdor si pseudonim emrin e grupit ushtarak që udhëheqë, sqaron se nga i tërë Robotyni, kanë ngelur vetëm dy shtëpi që ende janë në zonën e kontrolluar nga forcat ruse.
“Ne po luftojmë për ato dy shtëpi. Pastaj do të ketë kontroll të plotë edhe në pjesën jugore të Robotynes”, thotë komandanti ukrainas ‘Skala”.
Shefi i Shefave të Shtabit të Bashkuar i Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Mark Milley gjithashtu thotë se forcat ukrainase kanë arritur sukses së fundmi në vijën e frontit në jug të vendit. Por, gjatë një interviste me televizionin jordanez ‘Almamlaka’ gjatë kësaj jave, Gjenerali Milley sqaron se ashtu siç kanë parashikuar, kundërofensiva ukrainase do të marrë kohë të gjatë dhe fatkeqësisht do të jetë me pasoja të rënda edhe për forcat ukrainase.
“Është një ofensivë që po vazhdon për rreth tetë javë. Është shumë e përgjakshme, e ngadaltë, me humbje të mëdha. Planet për të dëbuar dy ose treqind mijë trupa ruse do të jetë shumë e vështirë dhe sfiduese”, thotë Gjenerali Milley.
Ukraina nisi një kundërofensivë në qershor, por linjat mbrojtëse ruse të përgatitura mirë dhe fushat e minuara prej tyre kanë ngadalësuar përparimin e forcave ukrainase drejt Detit Azov në jug.
“Qëllimi ynë është të arrijmë deri në Detin Azov. Unë nuk dua që ushtarët e mi të mendojnë se tashmë është koha për të pushuar. Ata e dinë se ne po vazhdojmë për të çliruar të gjitha territoret tona”, thotë komandanti ukrainas i cili përdor pseudonimin “Skala”, emri i njejtë me batalionin ushtarak që udhëheqë.
“Ukrainasve u ka mbetur një sasi e konsiderueshme e fuqisë luftarake. Unë mendoj se është sinqerisht shumë herët për të thënë nëse ofensiva ishte e sukseshme apo e dështuar. Është e qartë se ka pasur sukses të pjesshëm deri më sot. Shpejtësia me të cilën ofensiva po vazhdon është më e ngadaltë nga sa kishin menduar planifikuesit”, thotë Gjenerali amerikan, Mark Milley.
Gjenerali me katër yje i ushtrisë amerikane sqaroi gjithashtu se forcat ukrainase po stërviten intensivisht në pjesë të ndryshme të Evropës dhe në një të ardhme jo shumë të largët pritet të marrin edhe avionët e parë luftarak F-16, prodhim i Shteteve të Bashkuara.
Avionët e parë F-16, sipas presidentit ukrainas, Volodomyr Zelenskiy Kievi pritet t’i marrë nga të paktën dy vendeve evropiane.
Top Channel