Rusia njoftoi se janë nxjerrë 10 trupa e janë gjetur kutitë e zeza të avionit të rrëzuar pranë Moskës pak ditë më parë, në bordin e të cilit thuhet të ketë qenë dhe kreu i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.
Hetuesit pohuan se tani po kryhen testet molekularo-gjenetike. Avioni ra të mërkurën në afërsi të kryeqytetit rus, një episode ky që nxiti menjëherë spekulime se rrëzimi mund të ketë ndodhur nga një bombë ose një raketë.
Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin deklaroi me herët se Kremlini nuk ka gisht në këtë ngjarje, dhe se pretendimet që e ka dhënë ai urdhrin për vrasjen e Prigozhinit, ishte një gënjeshtër e madhe. Njeriu dikur besnik i Putinit, në muajin qershor udhëhoqi një revoltë të armatosur të luftëtarëve të tij mercenarë, por nuk e coi deri në fund rebelimin e tij.
Putini asokohe e përshkroi kryengritjen si “tradhti”, megjithatë u bind për një marrëveshje sipas të cilës mercenarët e Wagner ose do të bashkoheshin me ushtrinë e rregullt të Rusisë ose të shkonin në Bjellorusi.
Një vlerësim paraprak i inteligjencës amerikane arriti në përfundimin se një shpërthim i qëllimshëm shkaktoi rrëzimin e avionit. Një nga zyrtarët amerikanë tha se vlerësimet paraprake tregojnë se Yevgeny Prigozhin ishte “me shumë gjasë” në shënjestër dhe se shpërthimi përputhet me “historinë e gjatë të Putinit për t’i mbyllur gojën kritikëve të tij”.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të bënin komente, nuk dhanë asnjë detaj mbi atë se çfarë e shkaktoi shpërthimin, i cili besohet se mund të ketë shenjë një formë hakmarrje për rebelimin e Wagnerit që u pa si sfida më e madhe ndaj sundimit 23 vjeçar të udhëheqësit rus. Mediat ruse cituan që në fillim burime anonime brenda grupit Wagner që thanë se Prigozhin kishte vdekur. Por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
Top Channel