BOTA

SHBA vendos sanksione për deportimin e detyruar të fëmijëve ukrainas

SHBA ka vendosur sanksione ndaj 13 personave dhe subjekteve që thuhet se kanë lidhje me dëbimin dhe transferimin e detyruar të fëmijëve të Ukrainës.

Departamenti i Shtetit ka bërë me dije se gjithashtu po ndërmerren hapa për të vendosur kufizime vizash për tre autoritetet e instaluara nga Rusia në Ukrainë, për përfshirjen e tyre në abuzimet e të drejtave të njeriut të të miturve ukrainas.

Ukraina vlerëson se autoritetet ruse kanë dëbuar dhe/ose zhvendosur me forcë mbi 19,500 fëmijë nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i pushtimit shkurtin e kaluar.

“Ne do të vazhdojmë t’i tërheqim vëmendjen, do të vazhdojmë të identifikojmë individët dhe institucionet e përfshira dhe do të mbajmë një theks mbi të derisa këta fëmijë të ribashkohen me familjet e tyre ose në një komunitet që pasqyron edukimin e tyre të duhur“- tha kreu i zyrës së koordinimit të sanksioneve të DASH, James O’Brien.

Ndër ata që u goditën me sanksione ishte Artek, për të cilin SHBA tha se ishte një “kamp veror” në pronësi të qeverisë ruse, i vendosur në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Ai tha se kampi veror merr fëmijë ukrainas të cilët më pas vendosen në “programe të riedukimit patriotik” dhe nuk lejohen të kthehen në familjet e tyre.

Mes të sanksionuarve ishte edhe drejtori i Artek. Në shënjestër të sanksioneve ishte edhe këshilltari i guvernatorit të Belgorodit, komisionerët për të drejtat e fëmijëve në rajonet Kaluga dhe Rostov dhe kryetari i qeverisë së Republikës Çeçene.

Rusia ka pranuar se ka transferuar mijëra fëmijë jashtë territoreve Ukrainase, por kjo është bërë ekskluzivisht për të mbrojtur jetimët dhe fëmijët e braktisur në zonën e luftës.


Top Channel

Related posts

Regjistrim në audio, ish-presidenti Trump flet për një dokument ‘tepër sekret’ me një intervistues

admin

Tërmeti në Turqi krijon një kanion 300 kilometra në një ullishte (Video)

admin

Australia po përgatitet për zjarre të rënda, ndërsa Sydney po zhytet në temperatura rekord

admin

Leave a Comment