Një pacient ka mbetur i vdekur nga zjarri në shërbimin emergjent të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, ndërsa tre punëtorë shëndetësorë janë asfiksuar por fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për portalin RTV21 lidhur me zjarrin në Klinikën e Psikiatrisë ku vdiq një person dhe u lënduan pesë të tjerë.
Zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se sot (e enjte) rreth orës 00:15 është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri.
“Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor. “, tha ajo për RTV21.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë detaje lidhur me zjarrin në Klinikën e Psikiatrisë thonë se zjarri ka ndodhur në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.
“Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.”, thuhet në njoftim.