BOTA

Hungaria ‘tërbon’ BE teksa liron mijëra të dënuar të huaj me kusht largimin nga vendi (fotot)

Të liruarit nga Budapesti ishin dënuar për trafik ilegal emigrantësh.

Hungaria ka njoftuar lirimin e më shumë se 1,400 të huajve që ishin dënuar për trafik qeniesh njerëzore, duke marrë të tjera kritika nga Bashkimi Evropian.

“Kemi liruar 1,468 të dënuar të kombësive të huaja, të dënuar për trafik të qenieve njerëzore”, tha drejtoria e burgjeve të Hungarisë, në një email për rrjetin Agence France-Presse.

Në prill Budapesti njoftonte se do të lironte të huajt e dënuar për trafik emigrantësh duke u dhënë tre ditë për t’u larguar nga vendi.

Qeveria bazon vendimin e saj në mbipopullimin e burgjeve, duke thënë se kishte 2,600 të burgosur të 73 kombësive të ndryshme në sistemin e saj të burgimit, që përfaqësonin kosto të larta për taksapaguesit.

Zyrtarët shtonin se BE ankohet për mbipopullimin në burgjet e vendit por nga ana tjetër ndalon fondet për zgjidhjen e çështjes.

“Hungaria mori këtë vendim për trafikantët pasi Brukseli nuk ka kontribuar me fondet për mbrojtjen e kufijve por e dënon Hungarinë kur i ka burgjet e tejmbushura”, argumentonte zv. ministri i brendshëm vendas Bence Retvari.

Në maj Budapesti ka liruar 777 trafikantë që ishin kryesisht të kombësive rumune, ukrainase dhe serbe.

Por Komisioni Evropian i cili kritikon shpesh qeverinë e kryeministrit Viktor Orban për rendin ligjor në vend, ka nisur një procedurë kundër vendimit të Hungarisë.

BE thotë se nuk zotëron sistemet për të siguruar që të dënuarit të kryejnë dënimet e tyre në vendet e origjinës.

Austria, duke kundërshtuar lëvizjen hungareze, ka përforcuar kufijtë me vendin në maj, me argumentin e frikës së hyrjes së trafikantëve.

“Ne mendojmë se y është një sinjal i gabuar,” tha ministri i jashtëm austriak Alexander Schallenberg duke shtuar se kërkonte “qartësim të plotë” nga Budapest.

Orban është ankuar shpesh duke akuzuar se politika e emigracionit të BE është inkurajimi i  sa më shumë njerëzve që të hyjnë në bllok.

Hungaria është pjesa kryesore e itinerarit të emigrantëve nga Ballkani Perëndimor drejt BE.

Trafikanët dhe emigrantët zgjedhin Hungarinë pasi si pjesë e zonës Shengen, prej saj mund të kalojnë lehtësisht në vende më të pasura si Austria apo Gjermania.