Policia ka njoftuar se në lidhje me aksidentin e frikshëm që ndodhi dje në Tiranë ku BMW X6-ta nga Rruga e Kosovarëve, fluturoi mbi digën e liqenit artificial, ka arrestuar Eldi Allushin, 26 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas policisë në makinë me të kanë qenë edhe dy persona të tjerë Emiljano Nina dhe Jurgen Allushi.
Për shtetasin Jurgen Allushi, 25 vjeç, kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Kurse kanë shpallur në kërkim shtetasin Emiljano Nina, 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Emiljano Nina, duke drejtuar automjetin “BMW”, në pronësi të shtetasi Eldi Allushi, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.
Shtetasi Eldi Allushi ka përkrahur drejtuesin e automjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes,duke dhënë dëshmi të rremenë lidhje me rrethanat e aksidentit”, njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shkop bejsbolli që është gjetur në banesën e shtetasit Emiljano Nina. Policia vijon kontrollet për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi. Nina është një emër i njohur për policinë, pasi është përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe është kushëri i Ervis Martinaj.