BOTA

Përmbytet anija, shpëtohen 18 emigrantë sirianë në Qipro, 115 në tri ditët e fundit

18 emigrantë sirianë janë shpëtuar në Qipro këtë të hënë, pasi anija e tyre nisi të mbushej me ujë rreth 3.5 milje larg bregdetit juglindor të vendit ishullor të Mesdheut.

Policia tha më 21 gusht se 11 burra, tre të mitur të pashoqëruar, një grua dhe tre fëmijët e saj kishin nisur lundrimin nga Tartusi i Sirisë dhe u sollën në breg nga një anije patrulluese e policisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Qipros raportoi se gruaja dhe fëmijët e saj u dërguan në spital, pasi njërit prej fëmijëve i kishte rënë të fikët.

Katërmbëdhjetë emigrantët e tjerë u dërguan në një qendër pranimi në perëndim të kryeqytetit, Nikozia.

Një 23-vjeçar u paraburgos nën dyshimin se kishte ndihmuar në hyrjen e jashtëligjshme të emigrantëve, sipas policisë.

Në dy ditët e kaluara, policia  kishte shpëtuar edhe 97 sirianë të tjerë në dy anije të ndryshme.

Policia tha se kishte parë të dielën një anije rreth 12 metra të gjatë me 57 burra, gjashtë gra dhe 23 fëmijë në bord, rreth 14 milje larg bregdetit juglindor të ishullit. Të gjithë 86 njerëzit, të cilët ishin nisur nga Libani, u nxorën në breg nga një anije patrulluese e policisë dhe pastaj u dërguan në qendrën e pranimit të emigrantëve.

Katër burra të moshës mes 18 dhe 30 vjeç u arrestuan dhe përballen me akuza për lehtësimin e hyrjes së jashtëligjshme të emigrantëve, tha policia.

Të shtunën, policia pa një anije tjetër të vogël me 11 emigrantë në bord, rreth gjashtë milje larg bregdetit juglindor të Qipros. Dhjetë burra dhe një i mitur i pashoqëruar ishin nisur nga Libani me anijen e tyre tri metra të gjatë, sipas policisë dhe tre burra të moshës mes 31 dhe 37 vjeçe u arrestuan.

Ministria e Brendshme e Qipros tha se ka rritje të ardhjes së emigrantëve sirianë përmes detit në muajt e fundit, megjithëse kërkesat për azil kanë rënë dukshëm si pasojë e veprimeve të Qeverisë për ta frenuar ardhjen e tyre, veçanërisht nga Afrika sub-Sahariane.

Qeveria e Qipros vendosi të përjashtojë emigrantët të cilët vijnë pas 1 janarit të këtij viti nga e drejta për t’u dërguar në një vend tjetër të Bashkimit Evropian.


Top Channel

Related posts

Zelensky po përballet me shumë presion të brendshëm! Ukraina kërkon “përparim konkret” për anëtarësimin në NATO

admin

“Albania”, më e kërkuar/ Rezulton fjala e dytë më e kërkuar në internet nga italianët

admin

Argëtim me mbetjet e luftës! Fëmijët në Ukrainë pikturojnë mbetjet ushtarake

admin

Leave a Comment