Përgjatë vitit të kaluar, rojet kufitare saudite kanë qëlluar mbi emigrantë etiopianë që përpiqeshin të kalonin përmes Jemenit në mbretërinë e Gjirit, duke vrarë qindra prej tyre, thuhet në një raport të organizatës Human Rights Watch, të publikuar më 21 gusht.
Akuzat, të cilësuara si “të pabaza” nga një burim i qeverisë saudite, sugjerojnë se abuzimet janë përshkallëzuar përgjatë “Rrugës Lindore” nga Briri i Afrikës në Arabinë Saudite, ku jetojnë dhe punojnë qindra mijëra etiopianë.
“Zyrtarët sauditë po vrasin qindra emigrantë dhe azilkërkues në këtë zonë të largët kufitare larg syve të pjesës tjetër të botës”, tha studiuesja e HRW-së, Nadia Hardman.
“Shpenzimi i miliardave me blerjen e klubeve profesionale në golf dhe futboll dhe ngjarjeve të mëdha argëtuese për ta përmirësuar imazhin saudit nuk duhet ta largojë vëmendjen nga këto krime të tmerrshme”, shtoi ajo.
Një burim brenda qeverisë saudite i tha agjencisë së lajmeve AFP se akuzat “janë të pabaza dhe nuk bazohen në burime të besueshme”.
Grupi HRW, me seli në Nju Jork, ka dokumentuar abuzime ndaj emigrantëve etiopianë në Arabinë Saudite dhe Jemen që pothuajse një dekadë, por vrasjet e fundit duket të jenë “të përhapura dhe sistematike” dhe mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit, thuhet në raportin e HRW.
Vitin e kaluar, ekspertët e OKB-së raportuan “pretendime shqetësuese” se “forcat e sigurisë së Arabisë Saudite vranë rreth 430 emigrantë” në Arabinë Saudite jugore dhe Jemenin verior gjatë katër muajve të parë të vitit 2022.
Në raportin e HRW-së thuhet se Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme e Arabisë Saudite, komisioni i të drejtave të njeriut dhe rebelët Huthi që kontrollojnë Jemenin verior nuk u janë përgjigjur kërkesave të tyre.
Në vitin 2015, zyrtarët sauditë mobilizuan një koalicion ushtarak në një përpjekje për ta ndaluar përparimin e Huthit të mbështetur nga Irani, të cilët kishin marrë kryeqytetin e Jemenit nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht vitin e kaluar.
Lufta e Jemenit ka krijuar atë që Kombet e Bashkuara e përshkruajnë si një nga situatat më të këqija humanitare në botë.
Por, shumë nga abuzimet e përshkruara nga HRW-ja besohet të kenë ndodhur gjatë një armëpushimi që hyri në fuqi në prill 2022 dhe kryesisht ka vazhduar të mbahet pavarësisht se zyrtarisht skadoi tetorin e kaluar.
Raporti i HRW-sw bazohet në intervista me 38 emigrantë etiopianë që u përpoqën të kalonin në Arabi Saudite nga Jemeni, si dhe në imazhe satelitore dhe video e foto të publikuara në rrjete sociale “ose të mbledhura nga burime të tjera”.
Të intervistuarit përshkruan 28 “incidente me armë shpërthyese”, përfshirë sulme me predha mortajash, thuhet në raport.
Disa të mbijetuar përshkruan sulme nga një distancë e afërt, kur rojet kufitare saudite i pyesnin etiopianët se “në cilën gjymtyrë të trupit të tyre do të preferonin të qëlloheshin”, thuhet në raport.
“Të gjithë të intervistuarit përshkruan skena tmerri: gra, burra dhe fëmijë të shpërndarë nëpër peizazhin malor, të plagosur rëndë, të copëtuar ose tashmë të vdekur,” thuhet në këtë raport./REL
Top Channel