Video e 4 turistëve italianë që ikën me vrap nga një restorant në Berat pa paguar faturën prej 80 euro mori vëmendjen e të gjitha mediave, jo vetëm shqiptare por edhe italiane.
Kjo ka nxitur interesin e mediave edhe në vendin fqinj pasi kryeministrja italiane Georgia Meloni, kur u njoh me historinë, urdhëroi stafin diplomatik të ambasadës të kryejë pagesën, shkruan VizionPlus.
Pronarët e restorantit kanë bërë një reagim publik, pasi thonë se kishin interes shumë të madh nga mediat, por kanë refuzuar që të japin intervista. Ata kanë falënderuar kryeministren italiane për pagesë, ndërsa kanë treguar se paratë do t’i ruajnë si kujtim e kundër syrit të keq.
Në reagim, thuhet se veprimi i turistëve i preku, ndërsa shtojnë se ata bënë publicitet për vendin e tyre, Beratin.
“Gazetarët dhe kanalet televizive shqiptare dhe italiane na kanë kontaktuar por nuk kemi lejuar asnjë intervistë. Ata shtetas italianë që ikën pa paguar kanë bërë një publicitet të madh për qytetin tonë. Le t’i falënderojmë! Tashme e thamë qe këtu nuk kishte problem se italianet janë në shtëpi, shumë prej tyre vijnë si familjarët tanë Itali kur emigruam. Ne po ashtu gjithashtu thamë se urojmë që ta kenë shijuar ushqimin. Shpresojmë që ato para t’i kenë shpenzuar për diçka të bukur! Falënderojmë përzemërsisht Georgia Meloni, një zonjë e vërtetë! Ne nuk jemi të pasur ne punojmë shumë si familje nuk bëjmë aq shumë sa të mos të na bëjnë përshtypje ato para! Por kjo nuk është çështje parash për ne dhe jemi shumë të prekur nga gjesti i saj! Një shembull i shkëlqyer dinjiteti nga një nënë e mirë strikte që i jep shembull shtëpisë së saj! Georgia e madhe! E duam shumë edhe si gjysmë italiane qe jemi! Na nderoi shume me ardhjen në pushime në Vlorë Valona! Në foto janë paratë që na u dërguan me ambasadë. Ata do të qëndrojnë këtu në restorant si një kujtim i jashtëzakonshëm dhe gjithashtu kundër syrit të keq. Faleminderit kryeministrja Meloni Viva Itali Viva Albania!”, shkruajnë pronarët e restorant Guvës Mangelam në rrjetet sociale.