BOTA

Turqia kritikon qasjen e OKB-së për ndalimin e ndërtimit të një rruge në Qipro

Turqia i ka kritikuar paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara (OKB) për bllokimin e ndërtimit të një rruge kontroverse në zonën mbrojtëse e cila e ndan Qipron, duke e quajtur “të papranueshme dhe tejet të gabuar” qasjen e tyre.

Një përplasje ndodhi të premten mes forcave turko-qipriote dhe paqeruajtësve të OKB-së në Pyla, një fshat i përzier etnikisht në zonën që patrullohet nga OKB-ja mes Republikës së njohur ndërkombëtarisht të Qipros në jug dhe shtetit të shkëputur turko-qipriot në veri.

Misioni i OKB-së në ishullin lindor të Mesdheut tha se paqeruajtësit e tij u sulmuan derisa po tentonin ta bllokonin “punën e paautorizuar ndërtimore” afër Pylas, fshatin e vetëm ku greko-qipriotët dhe turko-qipriotët jetojnë krah për krah.

Omer Celik, zëdhënësi i partisë në pushtet në Turqi, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, e mbrojti ndërtimin e rrugës dhe e kritikoi qasjen e paqeruajtësve të OKB-së duke e quajtur si “të papranueshme”.

“Qasja e forcës paqeruajtëse të OKB-së që shërben në Qipro… ishte e papranueshme dhe tejet e gabuar”, shkroi Celik në X, i njohur dikur si Twitter.

Ai tha se ajo qasje “që kishte për qëllim t’i kënaqte greko-qipriotët, ia ka dëmtuar reputacionin” misionit të OKB-së në Qipro.

Autoritetet në Republikën e vetëshpallur të Turqisë në Qipron Veriore (TRNC), e cila njihet vetëm nga Turqia, i hodhën poshtë pretendimet e misionit të OKB-së, duke i quajtur “të pabaza”.

Celik tha të shtunën se Turqi e “përkrah plotësisht” TRNC-në, dhe i bëri thirrje misionit të OKB-së t’i trajtojë barabartë turko-qipriotët.

Qipro është e ndarë që nga viti 1974 kur forcat turke e uzurpuan pjesën e saj veriore si përgjigje ndaj puçit ushtarak të porositur nga junta që asokohe ishte në pushtet në Greqi./ REL


Top Channel

Related posts

Papa Françesku: Migrantët nuk e pushtojnë Evropën

admin

Përleshje të dhunshme në Suedi, pas djegies së Kuranit

admin

Mijëra gra shtatëzëna ruse shkojnë të lindin në Argjentinë

admin

Leave a Comment