BOTA

Vrasja e kandidatit presidencial në Ekuador shkakton pasiguri në procesin zgjedhor

Vrasja e kandidatit presidencial, Fernando Villavicencio, ka shkaktuar trazira në Ekuador, në prag të zgjedhjeve.

Presidenti Guillermo Lasso e quajti vrasjen përpjekje për të minuar procesin demokratik dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë.

Kjo masë përfshin dislokimin e ushtrisë në tërë vendin, në përpjekje për të rikthyer qetësi dhe siguri.

“Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Përkundër humbjes së një demokrati dhe luftëtari, zgjedhjet nuk do të pezullohen. Përkundrazi, ato duhet të mbahen. Duhet të forcojmë demokracinë,” thotë Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso.

Vrasja e papritur dhe tragjike e zotit Villavicencio ka nxitur shqetësime për situatën e sigurisë në zgjedhjet e së dielës. Shumë njerëz besojnë, që qëndrimi i zëshëm i zotit Villavicencio kundër krimit të organizuar, karteleve të drogës dhe korrupsionit çoi në vrasjen e tij.

Gjatë tubimeve, zoti Villavicencio u kishte thënë përkrahëse se ai ishte kërcënuar me vdekje, si në një fjalim pak para se të vritej.

“Ju jeni jeleku im anti-plumb. Nuk më nevojitet një i tillë. Ju jeni të guximshëm dhe unë jam guximtar si ju…Thanë se do të më vrisnin. Jam këtu!,” kishte thënë ai.

Pak orë pas vrasjes së zotit Villavicencio, zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ekuadorit tha se autori i dyshuar për vrasje, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit. Të nesërmen, policia njoftoi se kishte arrestuar gjashtë kolumbianë, pjesëtarë të grupeve të krimit të organizuar, të cilët dyshohet se kishin luajtur rol në planifikimin e vrasjes.

Ndonëse autoritetet vepruan me shpejtësi për arrestimin e të dyshuarve, avokati i zotit Villavicencio, Luis Fernandez, i kritikoi ata që nuk siguruan mbrojtjen e duhur për kandidatin dhe që nuk arritën ta kapnin të gjallë vrasësin e dyshuar.

“Ajo që duhej bërë dhe që do të ishte e ligjshme, ishte (që të dyshuarit) t’i ofrohej ndihmë; ta çonin në spitali për ta shpëtuar dhe për të gjetur dëshmitë materiale dhe planifikuesit e këtij krimi,” thotë zoti Fernandez.

Banorët e Ekuadorit janë shprehur të tronditur dhe të zemëruar me vrasjen dhe rritjen e kriminalitetit.

“Jemi në duart e narko-krimit në këtë vend… Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë në këtë gjendje pasigurie çdo ditë. Duam paqe në vendin tonë!” thotë zonja Ida Paez, një përkrahëse e kandidatit Villavicencio.

Në rrjetet sociale, një grup kriminal, që e quan veten “Los Lobos”, mori përgjegjësi për vrasjen e zotit Villavicencio, por një grup tjetër, që pretendon të jetë “Los Lobos” i vërtetë, e mohoi vërtetësinë e këtij pohimi.

“Ne nuk i mbulojmë fytyrat tona. Askush nuk flet në emrin tonë. Të jemi të qartë, ne kurrë nuk kemi vrarë zyrtarë qeveritarë apo civilë,” sipas një zëdhënësi të paidentifikuar të grupit.

Ndërkohë, shtatë kandidatë presidencialë morën pjesë në një debat, me masa shtesë sigurie – njëri prej tyre kishte veshur një jelek anti-plumb. Të gjithë folën për valën e dhunës në vend dhe pasigurinë si shqetësimi kryesore.

“Na duhet të udhëheqim, pajisim dhe përgatisim të gjitha agjencitë tona të rendit dhe ligjit dhe të integrojmë burimet e inteligjencës,” thotë zoti Jan Topic, kandidat presidencial.

“Do ta bëjmë Ekuadorin shtet të paqes dhe qetësisë,” thotë një kandidate tjetër, zonja Luisa Gonzalez.

Sipas kandidatit presidencial, Otto Sonnenholzner,“duhet të ndalojmë hyrjen në shtet personave me të kaluar kriminale.”

Presidenti Lasso ka kërkuar ndihmë nga Byroja Federale amerikane e Hetimeve, që tashmë ka arritur në Ekuador, për të ndihmuar autoritetet në hetime.

Me pasiguri që po mbretëron në Ekuador, banorët e këtij vendi kërkojnë drejtësi dhe përgjigje, ndërkohë që po përgatiten për zgjedhjet e së dielës./ voa


Top Channel

Related posts

Ish-spiuni britanik: Putin do të largohet nga pushteti brenda vitit

admin

Ekzekutoi gruan e sëmurë pasi ajo iu lut që ta vriste, lirohet nga burgu britaniku

admin

Zjarri në parkun kombëtar Dadia në Greqi, ekspertët: Fajtor jo vetëm ngrohja globale

admin

Leave a Comment