BOTA

Suedi, autoritetet rrisin nivelin e kërcënimit nga sulmet e mundshme terroriste

Suedia ngriti nivelin e gatishmërisë së lartë për sulme të mundshme terroriste të enjten, duke e çuar nivelin e alarmit vetëm një shkallë poshtë nivelit maksimal, pas disa rastesh të djegies publike të Kuranit në vendin skandinav nga një pjesë e vogël e aktivistëve anti-islamikë, që ka nxitur shpërthimin e protestave në vendet myslimane.

Suedia javët e fundit u ka kërkuar qytetarëve jashtë vendit dhe bizneseve të lidhura me vendin që “të jenë të vëmendshëm për informacionin që përcjellin autoritetet”, pas një numri rastesh të djegieve publike të kopjeve të Kuranit nga një azilkërkues irakian.

Shërbimi i sigurisë së brendshme të vendit skandinav, SAPO, tha se situata e përgjithshme e sigurisë është përkeqësuar dhe rreziku i terrorizmit në Suedi ishte tani në nivelin 4, ose “i lartë”, ndërsa shkalla më e lartë është 5.

“Situata po përkeqësohet dhe ky kërcënim do të vazhdojë për një kohë të gjatë,” tha drejtorja e shërbimeve të sigurisë suedeze, Charlotte von Essen.

Ajo tha se Suedia aktualisht konsiderohet si “një objektiv kryesor” për sulme të tilla, ndërsa u bëri thirrje banorëve në Suedi të vazhdojnë të jetojnë “normalisht”.

Në fillim të këtij viti, një aktivist i ekstremit të djathtë nga Danimarka dogji një kopje të librit të shenjtë të Islamit jashtë ambasadës turke në Stokholm.

Rreth 250 njerëz u hakmorën dhe u mblodhën jashtë Konsullatës Suedeze në Stamboll, ku iu vu zjarri një fotografie të aktivistit danezo-suedez, Rasmus Paludan.

Policia kombëtare e Danimarkës tha të mërkurën se “bazuar në udhëzimin e shërbimeve të zbulimit ishte e nevojshme të vazhdohej me forcimin e masave në kufijtë danezë”.

Edhe Suedia ka rritur kontrollet kufitare dhe kontrollet e identitetit në pikat e kalimit.

Rastet e fundit të djegies së Kuranit kanë vështirësuar më tej përpjekjen e Suedisë për anëtarësim në NATO, një hap edhe më urgjent pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Në korrik, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sinjalizoi se incidentet me djegin e Kuranit do të përbënin një tjetër pengesë për përpjekjet e Suedisë për anëtarësim në NATO.

Bazuar në ligjet që mbrojnë lirinë e shprehjes, djegia e Kuranit është e lejuar në Suedi./Voa


Top Channel

Related posts

Franca zhvendos memorialin 950-ton për linjën e re të metrosë në Toulouse (fotot)

admin

Përse vonohen trenat në Gjermani dhe si dilet nga kjo krizë?

admin

Kërcënimet, fyerjet dhe ‘robotët’ e Kremlinit: Si vdiq diplomacia ruse nën Putin

admin

Leave a Comment