Një urdhër që krijoi mundësinë për bastisjen nga policia të një gazete në Kansas javën e kaluar u tërhoq të mërkurën dhe të gjitha sendet që u sekuestruan tani do t’i kthehen gazetës.
Tërheqja e urdhërit u bë disa ditë pasi Byroja e Hetimit në Kansas mori përsipër çështjen që çoi në bastisjen nga policia, veprim që nxiti protesta nga grupe dhe organizata mediatike.
Shtatë policë nga departamenti i policisë së qytetit Marion bastisën të premten zyrat e revistës “Marion County Record” si dhe shtëpinë e botuesit dhe bashkëpronarit të revistës, Eric Meyer.
Prokurori i qarkut Marion, Joel Ensey, tërhoqi urdhrin të mërkurën, duke thënë për median se deklaratat e marra nga organet e rendit nxjerrin në dritë mundësinë që një punonjës i gazetës mund të ketë kryer veprime të paligjshme me kompjuter, por nuk ka prova të mjaftueshme që e lidhnin “kimin e supozuar me bastisjen dhe sekuestrimin e pajisjeve”.
Mbi 30 organizata mediatike kanë protestuar kundër veprimit të policisë, përmes një letre drejtuar organeve të rendit të qytetit Marion. Organizatat e mirëpritën vendimin, por thanë se policia lokale duhet të mbahet përgjegjëse për bastisjen.
“Ne do të shqyrtojmë hapat e ndërmarrë dhe do të punojmë për të përcaktuar mënyrën më të mirë për ta trajtuar rastin. Pasi të përfundojë hetimi ynë i plotë, ne do t’ia përcjellim të gjitha faktet hetimore prokurorit për shqyrtim”, tha zëdhënësja e Byrosë së Hetimit në Kansas, Melissa Underwood për gazetën “Marion County Record”.
Shtëpia e Bardhë shprehu shqetësime për bastisjet të mërkurën.
“Bastisja ngre shumë shqetësime dhe shumë pyetje për ne”, tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre. “Liria e shtypit, është një vlerë thelbësore për demokracinë tonë”.
Në një deklaratë mbrëmjen e së hënës, guvernatorja e Kansasit Laura Kelly shprehu mbështetjen për hetime të mëtejshme mbi bastisjen.
“Dua të sigurohem që në shtetin e Kansasit, nuk do të shkelet e drejta kushtetuese e individëve apo e shtypit për lirinë e fjalës”, tha zonja Kelly.
Urdhëri i bastisjes lidhet me një përplasje ndërmjet gazetës në fjalë dhe zonjës Kari Newell, pronare e një restorani që e akuzon gazetën për shkelje të ligjeve të privatësisë.
Zonja Newell thotë se gazetarët kishin siguruar në mënyrë të jashtëligjshme të dhënat e saj personale, përfshirë dënimin e saj në vitin 2008 për shkak se i kishte dhënë makinës në gjendje të dehur, raportoi agjencia e lajmeve Associated Press.
Bashkëpronari i revistës Eric Meyer thotë se ai beson që mbulimi që i bën gazeta politikës vendore në Kansas ka luajtur rol tek bastisja. Ai tha se gazeta po hetonte gjithashtu veprimtarinë e mëparshme të shefit të policisë Gideon Cody dhe të policisë në Kansas City, të shtetit Misuri. Zoti Cody udhëhoqi bastisjen e së premtes së kaluar./VOA
Top Channel